Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka marrë përgjigje negative nga Ambasada e SHBA për vizën amerikane. Haradinaj dhe bashkëshortja e tij do të merrnin pjesë në Mëngjesin e Lutjeve që çdo 4 shkurt mbahet në Uashington. Mediat në Kosovë shkruajnë se kryeministri ishte i ftuar edhe në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E.Orr.
Sipas REL e cila ka konfirmuar zyrtarisht lajmin për refuzimin e vizës së Haradinajt, në vend të kryeministrit do të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Kolonel Greg Hapgoof, i cili është zëdhënës i gardës së Iowa-s ka thënë:
“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne.”
Por, Halil Matoshi, nga kabineti i kryeministrit Haradinaj ka thënë se “çështja është ende në procedurë”. Vetë Haradinaj ka shkruar në Facebook:
“Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë.”