U vra sepse refuzoi një mashkull, por tragjedia e 21-vjeçares Ariela Murati ka revoltuar ditën e sotme të gjithë opinionin publik, i cili ka dënuar njëzëri Aldosen Belulaj. Studentja u vra nga njeriu që thoshte se e donte, në mes të Tiranës, ndërkohë që po shkonte tek e motra. Kjo e fundit , sipas raporteve, ka kaluar në shok të rëndë psikologjik dhe ka bërë një denoncim rrëqethës në polici. I ftuar tek “Rudina”, gazetari Spartak Koka, ka treguar edhe një pjesë të dëshmisë që kishte dhënë në polici motra e Arielës.
“Ma vrau ai plehra, ma vrau në sytë e mi. Ne nuk e dinim që ai kishte ardhur në Tiranë dhe s’na thanë as ata të shtëpisë.
Ai e kishte kërcënuar që ti nuk merr njeri tjetër përveç meje, e kapi menjëherë dhe e qëlloi. Nuk kishim bërë ndonjëherë ankesë në polici.”
Sipas gazetarit Koka, studentja kishte marrë kërcënime të herë pas hershme dhe zakonisht ruheshin, por kësaj radhe u kapën të papërgatitura nga Aldosen. Ai ka bërë të ditur se:
“Ata ishin të papërgatitura pasi zakonisht ruheshin. Për kërcënimet ishte vënë në dijeni edhe familja e vajzës dhe e djalit. Ai ia kishte rrëfyer plumbat Arielës, familjes së saj dhe familjes së tij. Fakti që kërcënimi nuk ishte marrë seriozisht çoi në këtë ngjarje.
Ka qenë ora rreth 14:48 minuta kur ka ndodhur ngjarja dhe në 14:52 kanë njoftuar policinë qytetarët. Ariela së bashku me motrën e saj Boretën dhe kushërirën kanë qënë duke kaluar në trotuar tek Universiteti i Mjekësisë, mesa duket Aldisoni i ka ndjekur, e ka ndaluar Arielën dhe më pas e ka qëlluar.
Kjo ka qenë skena e zhvilluar në pak çaste, ku askush s’ka mundur të ndërhynte. Një shoku i kolegut tonë e kishte parë skenën kur e ka ndaluar dhe ka tentuar të zbresë nga makina për ta ndihmuar, por gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.
Ariela, sipas dëshmitarëve, ka humbur jetën në moment pavarësisht ndihmës së shpejtë që i është dhënë, ndërsa Aldisoni ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën”.