Roli i shërbimeve të huaja gjatë regjimit komunist, kryesisht të UDB së ish-Jugosllavisë, KGB dhe CIA-s, do të jenë në fokusin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, gjatë vitit 2018 dhe në vijim, për efekte studimore dhe në kuadër të edukimit qytetar.
Në planin e punës së Autoritetit, i njohur ndryshe si komisioni për hapjen e dosjeve, do të jetë aktiviteti i shërbimeve të huaja në vend, aktivitet i cili do të qartësohet dhe do të marrë trajtë të plotë duke hapur dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për këtë çështje si dhe duke bashkëpunuar me institucione ndërkombëtare, Drejtorinë e Arkivave dhe me studiues historikë.
Burime nga Autoriteti sqaruan se, ndriçimi dhe studimi i veprimtarisë së shërbimeve të huaja në Shqipëri, përfshin edhe bashkëpunëtorët e tyre në vend, numrin dhe profilet e tyre, ndonëse të dhënat nuk do të ndahen me publikun.
Në këtë kuadër, në fokus të komisionit do të jetë edhe hapja e dosjes të të ashtuquajturit “grupi i çamëve”, i njohur si një nga proceset më të bujshme dhe të pamëshirshme të ish-Sigurimit të Shtetit. Grupi akuzohej se ishte vënë në shërbim të agjenturave të huaja.
Trazimi i politikës
Që pas rënies së regjimit komunist, çështja e agjentëve të shërbimeve të juaja, ka trazuar herë pas here segmente të politikës shqiptare. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara së fundmi të CIA, UDB jugosllave ka mundur që të rekrutojë qindra bashkëpunëtorë shqiptarë.
Ndërkaq, edhe eksperti i shërbimeve sekrete Luan Pobrati, i cili punuar për shumë vite në Sigurimin e Shtetit, ka pohuar se UDB kishte spiunë në Shqipëri. Ndërsa ish-kreu i Shërbimit të Zbulimit Hasan Luçi, ka pohuar se UDB ishte ulur këmbëkryq në mes të regjimit komunist. Edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka folur për dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të agjenturave të huaja në vend si dhe për zhdukjen e tyre.
Ndërkaq, kohë më parë, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ka qenë agjent i UDB. Balla nxori edhe një dokument në gjuhën serbe, me pretendimin se vërtetonte akuzën e tij. Gjithsesi, deri më sot, nga dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, nuk kanë dalë dokumente në media për këtë çështje.
Ndërhyrjet
Viron Bezhani, biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit, ka pohuar kohë më parë për Shqiptarja.com se një ish-punonjës i SHIK-ut, i punësuar më pas në ambasadën shqiptare në Belgjikë, ka rrëmbyer dhe zhdukur dosjet e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë, bashkëpunëtor të UDB së ish-Jugosllavisë dhe të agjenturave të tjera. Bezhani ka sqaruar se ngjarja ka ndodhur gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike.
“Nga 73 disqe që janë vjedhur, 56 kanë qenë me informacione që përfshinin politikanë dhe pushtetarë të lartë si agjentë të shërbimeve të huaja. Përveç disqeve, janë zhdukur dhe dosje me informacione të shërbimit sekret, njëkohësisht është vjedhur dhe truri i skeduar i arkivës së SHIK dhe listat e me emrat e bashkëpunëtorëve të UDB në Shqipëri. Vjedhja e tyre u zbulua në pranverën e vitit ’97. Janë zhdukur në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike.
Personi ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Kur nisi punën komisioni, u kërkua dokumentacioni. U mblodh i gjithë SHIK-u për të kërkuar disqet. Punonjësi u arratis. Më pas është punësuar në ambasadën shqiptare në Bruksel. Sa i takon datës, duhet të shikoj dokumentet, për të qenë i saktë. Di që babai ka bërë një denoncim në prokurori për vjedhjen disketave, të cilat janë shitur dhe personi i dyshuar për grabitje është larguar nga Shqipëria menjëherë pas zhdukjes së disketave dhe jeton, me sa mbaj mend, në Belgjikë”, ka pohuar Bezhani.
Axhenda
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, gjatë vitit 2018, ka planifikuar gjithashtu kthimin ish-kampit të Tepelenës në muze dhe memorial të kujtesës ndaj krimeve dhe përndjekjeve në regjimin komunist.
Ndërhyrja do të bëhet në bashkëpunim me pushteti vendor, Institutin e Krimeve të Komunizmit dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu, Autoriteti ka planifikuar botime veprash shkencore me tematikë nga Sigurimi i Shtetit si dhe konferenca shkencore për të kaluarën komuniste dhe rolin e Sigurimit të Shtetit në shoqëri. /shqiptarja.com/