Shqipëria është vizituar nga një numër rekord të huajsh në vitin 2017, sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT. Në total, Në Shqipëri hynë 5.1 milionë të huaj, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm. Gati gjysma e tyre erdhën për qëllime turistike.
Ndonëse gradualisht po e braktisin vendin amë, shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë vendin e parë përsa i përket numrit të të huajve në vend, me 34% të totalit (nga 45% që ishte pesha e tyre vitin në 2016-n). Sipas INSTAT, në vitin 2017 hynë 1.7 milionë shtetas nga Kosova, me një rënie të ndjeshme prej 19%. Rreth 411 shtetas më pak kanë hyrë në Shqipëri përgjatë vitit të kaluar, në një protestë në heshtje ndaj abuzimeve me çmimet, standardeve të munguara të cilësisë, infrastrukturës së rënduar, diskriminimit me lëvizjet e autobusëve, apo dhe rendjes drejt alternativave të tjera rajonale. Shqipëria mbetet si destinacioni kryesor i turistëve nga Kosova, megjithatë ofertat në rritje me çmime më të leverdishme nga vendet tjera po i tërheqin një pjesë të mirë të shqiptarëve të Kosovës, duke i larguar ata nga turizmi tradicional në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë “zbulimi” i kësaj vere për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia, teksa vendi i shqiponjave ka qenë gjithë vitin në fokusin e mediave të huaja që shkruan për bukuritë e tij dhe alternativën e çmimeve të lira. Në 2017-n të huajt nga shtetet e tjera e neutralizuan efektin e ikjes së pushuesve nga Kosova.
Në vend të dytë për nga numri i hyrjeve janë maqedonasit, që u rritën me 18.5%, ku 671 persona kanë hyrë në Shqipëri. maqedonasit kanë shënuar dhe rritjen më të madhe në vlerë absolute, me 105 mijë shtetas më shumë. Në vend të tretë ishin grekët, me një rritje prej 19%, me gati 490 mijë shtetas të hyrë. Në vend të katërt ishin fqinjët malazezë, me rritje 17% dhe rreth 380 mijë shtetas që hynë në kufirin shqiptar.
“Plazhe si Karaibet, peshk me vetëm 7 euro”, ishin disa nga titujt me të cilat mediat italiane i përshkruan pushimet në Shqipëri. Numri i tyre shënoi rritjen të lartë me 36% (dhe të dytën në vlerë absolute pas maqedonasve), teksa 363 mijë italianë erdhën në Shqipëri në 2017-n, një pjesë për biznes e të tjerë për pushime. Edhe këtë vit pritet e njëjta tendencë, pasi një kompani e madhe turistike italiane Alpi Tours ka hyrë në Shqipëri dhe pritet të sjellë pushues italianë, me preferencë jugun e vendit.
Në rritje të ndjeshme ishin dhe shtetasit nga Gjermania, me një rritje prej 47%, apo 212 mijë shtetas.
Risia e 2017-s ishte ardhja e polakëve përmes agjencisë turistike më të madhe në Poloni, ITAKA. Hyrja e tyre bëri që 12 hotele në Durrës të grupoheshin dhe të ofronin paketa të gjitha të përfshira. Statistikat tregojnë se në 2017-n, Shqipërinë e vizituan 114 mijë polakë, me një rritje prej të fortë prej 73%. Këtë vit gjithsesi, polakët nuk duken shumë entuziastë, por vendin e tyre në prenotime po e zënë ukrainasit si dhe nordikët. Këta të fundit janë dhe më të preferuar nga hotelet shqiptare pasi paguajnë më mirë.
Edhe nga SHBA, ka pasur një rritje të interesit, ku ardhjet e shtetasve nga ky vend u rritën me 19.3% në 98 mijë hyrje.
Rritja e numrit të turistëve ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të bilancit të shërbimeve. Sipas Bankës së Shqipërisë, ardhurat nga udhëtimet arritën për 9-mujorin një nivel rekord prej 1.3 miliardë eurosh, me një rritje prej 13% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur nivelin më të lartë rekord.
Rritja e ndjeshme e interesit për Shqipërinë pritet të vijojë edhe këtë vit, bazuar në prenotimet e hoteleve, të cilat që në fillim të këtij viti janë rezervuar mbi 90%. Por, nuk dihet sa do të zgjasë “eksperimenti” i të huajve me Shqipërinë, nëse nuk do të rregullohen problemet me infrastrukturën, plehrat, raportin cilësi-çmim, mungesën e alternativave argëtuese e shumë të tjera. Pushuesit nga Kosova ishin të parët që protestuan në hedhjet, polakët ndoshta të dytët. Për të tjerët duhet të presim…/monitor/