Dalin detaje të reja lidhur me gomonen me kanabis të kapur gjatë natës së kaluar në Vlorë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në gomonen e braktisur janë gjetur rreth 1.6 tonë kanabis. Po të njëjtat burime deklarojnë se mjeti lundrues dyshohet të ketë pasur defekt.
Gomonia ishte rreth 8 m e gjatë dhe është kapur disa milje larg ujërave ndërkufitare në Vlorë. Aksioni u krye nga D.V.P.Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Forcë, QNOD dhe Guardia di Finanza, të cilat vijojnë kontrollet për parandalimin e trafikimit të narkotikëve përtej kufirit.Trafikantët e drogës arrijnë të largohen, pasi nxjerrin mjetin lundrues në breg, ndërkohë që policia vijon të krehë zonat përreth Vlorës për të rënë në gjurmët e tyre.
Policia sqaron se kishte informacione për nisjen e një ngarkese me lëndë narkotike nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë. Ngarkesa e kanabisit është transportuar pranë ambienteve të policisë së Vlorës, për të bërë peshimin e saj.
Njoftimi i Policise:
Kapet një gomone e ngarkuar me kanabis; policia në kërkim të trafikantëve. D.V.P.Vlorë në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Forcë, QNOD dhe Guardia di Finanza vijojnë kontrollet për parandalimin e trafikimit të narkotikëve përtej kufirit.
Gjatë kryerjes së këtyre kontrolleve, ditën e sotme, disa milje larg ujrave ndërkufitare u konstatua një gomone rreth 8 m e gjatë me sasi të konsiderueshme kanabisi. Gomonia ishte në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara për lëvizjen e saj në det.
Shërbimet policore po transportojnë lëndën narkotike pranë ambienteve të saj, për të bërë peshimin e saj. Gjithashtu po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale.