Nga Kastriot DERVISHI
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nëpërmjet ministrave përkatës të punëve të jashtme, më datë 27.4.2009, nënshkruan marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Kjo marrëveshje nuk arriti të rafikohej në Kuvend sepse u ankimua në Gjykatën Kushtetuese. Partia Socialiste përpara Gjykatës Kushtetuese paraqiti 10 pikëankesa kundërshtuese, e cila me vendimin nr.15, datë 15.4.2010 e rrëzoi marrëveshjen.
Ankimi lidhej me mospërfshirjen e presidentit në këtë proces, çështjen e emërtesës së marrëveshjes, parimin e barazlargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, mospërcaktimi paraprak i vijës bazë nga shteti shqiptar, moskujdes në përcaktimin e statusit dhe shtrirjes së gjirit të Sarandës, mosshërbimi i ishullit Barketa si pikë skajore, kotësia e marrëveshjes, mosshoqërimi me harta dhe mungesa e transparencës me publikun. PS-ja mbronte idenë se nuk duhej të kishte fare marrëveshje të tillë. Kjo argumentohet në këtë nënpikë:
“Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences 1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes ngushticës, gjë e cila nuk është kontestuar asnjëherë nga palët. Gjithashtu, me ligjet e miratuara nga parlamenti shqiptar (ligji nr.8771, dt.19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, i shfuqizuar me ligjin nr.9861, dt.24.01.2008) janë parashikuar si pjesë të territorit shqiptar si ujrat territoriale ashtu dhe ujrat e brendshme”.
Në të vërtetë, Protokolli i Firences i takon vitit 1926 dhe jo vitit 1913. Megjithatë, kemi një qëndrim ndryshe të Partisë Socialiste nga pretendimi për kotësinë e marrëveshjes, në hyrjen në bisedime për një marrëveshje të re.