Pas mbarimit të mandatit të Hervin Çulit, Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin për drejtorin e ri të Teatrit Kombëtar. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës janë publikuar edhe kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurimit publik.
Njoftimi i Ministrisë së Kulturës:
Në përfundim të mandatit 4-vjecar të drejtorit aktual, Ministria e Kulturës njofton konkurim për vend pune / Drejtor në Teatrin Kombëtar
Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, si dhe të Ligjit 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar, Ministria e Kulturës shpall konkursin për pozicionin:
Drejtor në Teatrin Kombëtar – Kategoria e pagës II-b
Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:
Objektiva Artistikë
Të hartojë një program dhe kalendar të qartë me shfaqje repertori dhe prodhime të reja, në funksion të diversitetit artistik dhe zgjerimit të audiencave;
Të nxisë e të zhvillojë dramaturgjinë shqipe në skenë;
Të promovojë tendencat e ndryshme në skenën teatrore shqiptare duke siguruar një ekuilibër mes artistëve të afirmuar dhe atyre të rinj;
Të marrë shkëmbime ndërkombëtare, veçanërisht të zhvillojë ato ballkanike dhe evropiane.
Objektiva të Politikës Kulturore
Të zhvillojë marrëdhënie të qëndrueshme me institucionet arsimore përmes projekteve qe nxisin përfshirjen dhe krijimtarinë e të gjithë grupmoshave në përgjigje të politikës së Ministrisë “Edukim Përmes Kulturës”;
Të krijojë lidhje me strukturat ekonomike dhe ato të biznesit publik e privat për të ndërgjegjësuar dhe tërhequr një publik të ri;
Të dëshmojë kreativitet dhe të ndërmarrë nisma frymëdhënëse për të fituar audienca të reja;
Të ndërtojë programe të “Edukimit Përmes Kulturës”.
Objektiva në Administrim
Të sigurojë ligjshmëri dhe transparencë të kontratave individuale dhe procedurave të punësimit;
Të ndërtojë një plan buxhetor financiar të qartë vjetor;
Të bëjë të mundur rritjen e të ardhurave përmes burimeve të treta;
Të ngrejë një sistem treguesish vlerësimi të punës së institucionit për të lehtësuar dialogun më Ministrinë e Kulturës prej nga varet;
Të garantojë mundësi për angazhimin e të rinjve në skenën kombëtare.
Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurimit publik:
Të jetë shtetas shqiptar;
Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;
Kandidati duhet të propozojë një platformë për administrimin dhe promovimin e Teatrit Kombëtar. Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave të bëhet brenda datës 22/02/2018, pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Kulturës.