Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në ambientet e një gjimnazi në Tiranë, ku ka bërë të ditur nismë ne re të qeverisë për sigurinë në shkolla.
Ai këtë nismë e ka quajtur “Shkolla të sigurta për fëmijët tanë”. Sipas Ramës në çdo shkollë do të jetë figura e oficerit të sigurisë, i cili do të ketë detyre garantimin e sigurisë maksimale në çdo shkollë.
“Së shpejti do të ketë oficerë në çdo shkollë. Nëse ka dhunë apo ka shpërndarje të lëndëve narkotike, do të futet oficeri i policit, i cili nuk është një polici thjeshtë, nuk do të bëj as kontrolle dhe as hetime”, ka thënë Rama.
Në fillim të fjalës së tij kryeministri deklaroi se “Oficerët e Sigurisë në Shkolla” është projekti që synon rritjen e sigurisë nëpërmjet ndërveprimit dhe parandalimit të ngjarjeve. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme kërkojnë të krijojnë një qasje të re nëpërmjet këtij projekti pilot në 15 gjimnaze të Tiranës.
Ndërsa ministra Lindita Nikolla deklaroi se të gjithë oficerët e sigurisë do të jenë me integritet të lartë. “Shpresoj dhe besoj se do të jenë modele shumë të mira në jetën dhe aktivitetin e tyre. Do të bëhet e mundur siguria maksimale në shkolla”, u shpreh Nikolla.