Me datë 20.02.2018, rreth orës 17:10, në rrugën “Bedri Karapici”, në banesën e shtetasit Myftar Kuçi, rreth 80 vjeç i cili ndodhej në banesë i paralizuar, ka rënë zjarr.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Zjarrëfikësja ku kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Shtetasi i mësipërm si pasoje e flakeve dhe asfiksisë nga tymi ka humbur jeten. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.
Një prej fqinjëve të familjes Kuçi shprehet se në banesë me 80-vjeçarin ka qenë edhe një vajzë e mitur, e cila sipas tij në momentin e zjarrit ka ishte duke luajtur në korridor.
“Pamë tym që dilte nga shtëpia dhe nxituam. Ishte edhe një vajzë e vogël në shtëpi, e cila fatmirësisht ndodhej jashtë në ato momente. Shkuam me shpejtësi dhe larguam vajzën, por plakun s’e nxorëm dot. Frikë kishim nga bombola e gazit.
Jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Bashkëshortja kishte dalë jashtë të kërkonte djalin se ishte larguar nëpër lagje. Ka qenë një furnelë në prizë e cila mund të ketë shkaktuar zjarrin dhe më pas është përfshirë e gjithë banesa. Kam qenë unë që lajmërova zjarrfikësit të cilët mbërritën shpejt por gjithçka këtu ishte në tym dhe zjarr”, rrëfen ai.