Bashkia e Shkodrës sqaron opinionin publik lidhur me ngrohjen në shkollat e qytetit si më poshtë:
1. Shkolla “Salo Halili”
Kjo shkollë ka si burim ngrohje drutë e zjarrit. Për vitin 2017 sasia e furnizuar prej 86.4 m3 dru, është përllogaritur për të ngrohur 18 ambjente (klasa), numër i cili është marrë nga DAR Shkodër.
2. Shkolla “Skenderbeg”
Kjo shkollë ka si burim ngrohje drutë e zjarrit dhe gazin e lëngshëm. Me dru zjarri ngrohen 6 ambjente (klasa) dhe është furnizuar me sasinë 14.4 m3. Për 24 ambjente (klasa) të tjera është furnizuar deri me datë 21.02.2018 1440 kg gaz i lëngshëm. Furnizimi i sasisë së mësipërme është bërë për një periudhë 4 – mujore, nga 15 nëntor 2017 deri me 15 mars 2018.
3. Shkolla “Ali Laçej”
Kjo shkollë ka si burim ngrohje lëndën djegëse naftë- ngrohje me kaldajë. Me datë 14.11.2017 është furnizuar me 400 litra naftë. Nga sinjalizimi i drejtuesit të shkollës dhe verifikimit nga ana e Bashkisë në vend, ka rezultuar se pompa e kaldajës është e djegur. Pas këtij konstatimi Bashkia e Shkodrës, ka marrë përsipër të ofrojë ngrohje me gaz të lëngshëm. Drejtorja e shkollës nuk e ka marrë në dorëzim sasinë e gazit të lëngshëm, planifikuar për të gjitha ambjentet (klasat) e shkollës. Pretendimi i saj ka qënë se prindërit nuk preferojnë që fëmijët tyre të ngrohen me gaz në shkollë. Këtij pretendimi është dhënë zgjidhje duke vendosur ngrohësa me energji elektrike në klasa. Kjo deri në momentin e riparimit të kaldajës. Gjithashtu është tërhequr nga drejtori i shkollës sasia prej 150 kg gaz i lëngshëm për ngrohjen e ambjenteve të administratës (këshilli i mësuesve, drejtoria, nëndrejtoria etj.).
Furnizimi i sasive të mësipërme është bërë për një periudhë 4 – mujore, nga 15 nëntor 2017 deri me 15 mars 2018.
Deri në këto momente, në Bashkinë e Shkodrës, nga shkollat e mësipërme nuk është depozituar asnjë ankesë për mungesën e ngrohjes. Nga ana tjetër, i bëjmë thirrje të gjithë prindërve dhe nxënësve që të mos bien pre e pagesave gjoja për ngrohjen e klasave. Çdo kërkesë e tillë, nga kushdo që mund të behet, është abuzim me paratë e familjeve shkodrane. /Deklaratë e Bashkisë së Shkodrës në faqen zyrtare në Facebook/