Pronari i Amazon, Jeff Bezos njoftoi se do tëndërtojë një ore që do të zgjasë 10 mijë vite. Ai tha se bëhet fjalë për një projekt ambicioz sipas të cilit ora do të jetë 150 metra e lartë, do të jetë mekanike dhe do të punojë me cikle termike.
Do të vendoset nën tokë në një zinxhir malor të Sierra Diablo-s në USA. Bezo është një nga investitorët më të mëdhenj të këtij projekti dhe ka 7 vite i përfshirë në këtë, por iniciativa ka filluar të mendohet shumë kohë më parë, qysh prej 1989 nga Danny Hillis, matematikan i MIT dhe shpikës prodhimtar (ka më shumë se 300 patenta). “Doja të realizoja një simbol të së ardhmes, diçka që të na japë ndjesinë e lidhjes”, – thotë Hillis në një nga videot që shpjegon detajet e këtij projekti.
Themeluesi i Amazonit beson se falë avancimeve të vazhdueshme teknologjike jo vetëm që gjenerohen gjithnjë e më shumë arritje më impresionuese, por rritet edhe magnituda e problemeve. Prandaj është e nevojshme të vendoset “të menduarit afatgjatë”. Ora me gjithë madhështinë e saj do të jetë aty për t’ia kujtuar njerëzimit pikërisht këtë.