Vijojnë hetimet nga policia dhe prokuroria për aksidentin me dy të vdekur që ndodhi të mërkurën në Maminas në Durrës. Drejtuesi i makinës që shkaktoi aksidentin, Fatjon Zhaborja po hetohet jo vetëm për një ngjarje aksidentale, pasi ka dyshime të forta nga hetuesit se gjithçka ka qenë e qëllimshme.
Pas aksidentit Zhaborja e braktisi makinën tip ‘Benz’ dhe është larguar, ndërsa hetuesit kanë gjetur gjurmë gjaku, ç’ka do të thotë se edhe vetë është plagosur nga përplasja. Ndërkohë që dyshohet se është ndihmuar nga një makinë tjetër për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Fatjon Zhaborja mund të ketë marrë ndihmë në qendra shëndetësore, por akoma nuk është arrestuar.
Është kontrolluar edhe banesa e tij, por nuk është gjetur. Ende nuk dihet lidhja nëse Zhaborja e njihte vajzën, Elena Avdillari apo gjithçka ka qenë aksidentale. Shpejtësia e makinës ka qenë mbi 140 km/ orë. Elena Avdillarit i ishte refuzuar kalimi në portin e Durrësit për të ikur në Itali, pasi kishte shkelur afatet e qëndrimit.
Pas refuzimit, vajza ka marrë një taksi në portin e Durrësit për t’u kthyer në Tiranë, ndërsa në Maminas u aksidentua për vdekje. Familjarët u shprehën dje se e dinin se po ikte në Itali, ndërsa lajmin e kanë marrë vesh nga TV. Nëna tha se Elena nuk kishte njohje me Fatjon Zhaborjan. Megjithatë, dyshohet se viktima Elena Avdillari dhe 24-vjeçari mund të kenë pasur njohje me njëri-tjetrin. Kjo pasi, sipas burimeve të policisë për Report Tv në bazë të sistemit TIMS, ata kanë hyrë dhe dalë vazhdimisht nga Shqipëria në të njëjtat data.
E ndërsa Fatjon Zhaborja është në kërkim, është zbuluar edhe pronari i automjetit vrasës, Dardan Gjeka, 24-vjeç, nga Shkodra i cili nga ana e tij mohon të ketë lidhje me ngjarjen. Gjeka e ka derguar ne Report Tv aktin noterial të shitjes së “Benzit” te Fatjon Zhaborja në datën 22 janar 2018, por nuk ka ndërruar pronësinë, çka do të thotë se automjeti tip “Benz S-Class” rezulton pronë e tij për arsye të cilat nuk sqarohen.