Dardan Gjeka është djali që pak ditë më parë mbushi 24 vjeç, por në të njëjtën kohë iu desh të përballej me një situatë aspak të zakontë.
Për të u tha se ishte prej personave po udhëtonte në makinë me Fatjon Zhaborrjan, pronarin e automjetit tip Benz, i cili mbrëmjen e së mërkurës, më 21 shkurt, përplasi për vdekje taksistin Bujar Agalliu dhe të renë Elena Avdillari.
Vetë Gjeka ka reaguar dhe ka komunikuar , duke treguar gjithçka që ai di për këtë ngjarje si dhe sqaron e thekson faktin se nuk ka asnjë lidhje me aksidentin.
I riu ka vënë në dispozicion dëshminë që ka dhënë në Prokurorinë e Shkallës së Parë në qytetin e Durrësit si dhe dokumentin e shitjes së automjetit tip Benz S-Class tek Fatjon Zhaborrja.
Në dëshminë e tij, dhënë më 22 shkurt, ora 11:00, pra ditën e djeshme, Gjeka bën me dije se natën që ka ndodhur aksidenti ka qenë duke darkuar në një lokal në qytetin e Shkodrës, pasi ishte kthyer nga Mali i Zi, ku kishte shkuar për arsye familjare me disa prej miqve të tij.
Gjeka deklaron se ka punuar deri në orën 16:00 në servisin e të atit dhe më pas, me makinën e babait, në orën 16:30 ka kaluar në pikën kufitare të Hanit të Hotit, nga ku është kthyer rreth orës 18:30.
Më tej, me miqtë e tij ka shkuar për të ngrënë darkë dhe rreth orës 22:00, bashkë me vëllanë ka shkuar në shtëpinë e tij, nga ku nuk ka dalë deri në orën 8:00 të ditës së djeshme, kohë kur e ka telefonuar i ati, pasi kishte marrë vesh nga mediat në lidhje me aksidentin.
Dardan Gjeka ka shkuar në prokurori për të dhënë dëshminë e tij, ndërsa sqaron se me Fatjon Zhaborrjan nuk njihen. Ata kanë kontaktuar mes tyre në momentin që 24-vjeçari kishte nxjerrë në shitje automjetin tip Benz, në internet. Pasi Zhaborrja e ka parë nga afër automjetin, ka vendosur ta blejë atë.
Për këtë, madje, kanë bërë edhe aktin noterial të shitblerjes së mjetit, të cilin Gjeka e ka vënë në dispozicion.
I pyetur nëse njihet me viktimën, ai ka kundërshtuar, edhe pse bazuar në të dhënat e sistemit TIMS, i riu dhe viktima rezultojnë të kenë dalë disa herë në të njëjtën ditë jashtë vendit, për në Itali.
Kjo është e gjithë e vërteta sipas Dardan Gjekës, i cili është rastësisht i përfshirë në këtë histori dhe që deri më tani, është lënë i lirë nga policia e prokuroria. Mbi të nuk ka asnjë dyshim dhe nuk rëndon asnjë akuzë./JOQ.al/