Dje u mbyll Festivali i 68 i Filmit Ndërkombëtar në Berlin, Berlinale 2018, ku triumfoi filmi “Touch Me Not” me dy çmime të rëndësishme. Me regji të artistes rumune Adina Pintile, filmi rrëmbeu çmimin The Golden Bear për Filmin më të Mirë dhe çmimin për Debutimin e Parë më të Mirë.
“Ky film ju fton të keni ndjeshmëri, të përqafoni të ndryshmen, të shqyrtoni idetë për gjithçka. Është një pasqyrë për shoqërinë, prandaj besoj se shumë njerëz nuk janë fort të kënaqur. Por ju ftojmë t’i diskutojmë këto çështje dhe të shikoni tek vetja”, foli regjisorja në një konferencë për shtyp pas trofeut. Duke kaluar nga trillimi në dokumetar, “Touch Me Not” është një eksplorim i intimitetit, i trupit të njeriut, i seksit dhe paraqet njerëz të ndryshëm në praktikat e tyre seksuale. Filmi përmban skena të errëta dhe trupa “jonormalë” që e trajtojnë seksualitetin në një mënyrë ndryshe.
Intimiteti në film sfidon nocionet klishe të bukurisë dhe paraqet një gamë të kënaqësive seksuale. Nuk munguan as kritikat nga ekspertët për filmin e regjizores rumune, përmbajtja e së cilit tronditi shikuesit. Gjatë shfaqjes së filmit “Touch Me Not”, disa të pranishëm mbetën të shokuar nga skenat e shumta të seksit, intimitetit, lakuriqësisë, trupave jonormalë dhe braktisën sallën.
Por juria Berlinale-s, një ndër eventet më të rëndësishme kinematografike në Berlin, nuk u pengua aspak nga reagimet e ashpra, përkundrazi ia dha pa e menduar dy herë çmimet e rëndësishme./ANABEL/