Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri ka përfunduar pas rreth 60 minutave dëshminë e tij në Prokurorine e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet për segmentin rrugor Tiranë-Elbasan. Pas përfundimit të dëshmisë, Gjiknuri u shpreh se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe personit që ka bërë kallëzim.
“Dëshmova në cilësinë e personit që ka dijeni dhe që mund të ndihmojë për zbardhjen e ngjarjes. Nuk kam ndonjë gjë për të shtuar përveç atyre që janë në audit. Unë nuk jam këtu për të bërë hetime. Isha thirrur në cilësinë e personit kallëzues dhe pres që hetimet të kenë sukses”- tha Gjiknuri.
Kështu, pas arrestimit të tre ish-zyrtarëve të ARRSH dhe dëshmive të ish-ministrave si Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj, Gjiknuri do të jetë ministri i 3-të i Transporteve që do të pyetet nga organi i akuzës. Ai ka mbërritur pak minuta më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ishte pikërisht Gjiknuri ai që kallëzoi skandalin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Gjiknuri është parë në hyrjen e Krimeve të Rënda i shoqëruar nga një person. Dëmi i përllogaritur nga Prokuroria për abuzimet me tenderët dhe amendimet e kontratave me kontraktorët shkon në 37 milionë dollarë. Më herët në organin e akuzës ka dëshmuar Afrim Qendro, i komanduar si Drejtor i Autoritetit të Rrugëve.