Sekuestrimi i 6 kuintalëve kokainë në vendin tone, duket se ka shkaktuar bujë të madhe jo vetëm në Shqipëria por edhe në mediat ndërkombëtare.
Sasia rekord u kap në magazinën e “Arbri Garden” në Maminas , ndërkohë që pronari i biznesit, Arbër Çekaj rezulton se ka dalë nga Shqipëria tre ditë përpara se prokuroria dhe policia të bllokonin ngarkesën e dërguar nga Kolumbia.
Por pyetja që mbeti në mendjen e të gjithëve ditën e djeshme, ishte se cili “peshku i madh”që fshihej pas drogës me vlerë 180 milionë euro.
Në të tilla raste, mbajtja nën vëzhgim e ngarkesës dhe zbulimi i personave të interesuar, përveç atyre që presin mallin, janë çelësi i suksesit për të shkuar tek porositësit e vërtetë të lëndës narkotike.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ditën e djeshme dhe “peshku i madh” ia ka hedhur pa u lagur.
Sipas “Top Channel”, prokuroria ka insistuar dhe nuk ka lejuar që kontenieri me kokainë të hapej në Portin e Durrësit, por të mbahej nën vëzhgim me qëllim zbulimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Megjithatë prokurorët më sa duket janë dorëzuar, duke bllokuar lëndën narkotike pas mbërritjes në magazinat e firmës, që kishte porositur ngarkesën e ligjshme.
Sipas burimeve, prokuroria nuk kishte kapacitete njerëzore që të mbante më tej nën vëzhgim një sasi të tillë droge, duke bërë që të arrestoheshin vetëm shoferi i kamionit dhe shoqëruesit e ngarkesës.