Gjatë ditës së martë, u identifikuan dhe u arrestuan dy personat përgjegjës për sulmin me thikë ndaj trajnerit të Vllaznisë, Ernest Gjoka. Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se Nehat Fojleta, 19 vjeç, banues në Shkodër ka tentuar të qëllojë me thikë trajnerin e Vllaznisë më datë 22 shkurt. Sehar Xhenje, 21 vjeç, banues në Shkodër është arrestuar si bashkëpunëtor i Nehat Foljetas, pasi e ka ndihmuar agresorin të largohej nga vendngjarja me një mjet tip Benz-Mercedes.
Por mësohen detaje të reja pas arrestimit të dy personave. 19-vjeçari që ka sulmuar trajnerin Ernest Gjoka, Nehat Fojleta rezulton i regjistruar në faqen zyrtare të FSHF-së si futbollist, por pa sqaruar se me cilën skuadrën aktivizohet apo nëse vijon të luajë futboll.
Por, burime të “BalkanWeb” pranë klubit të Vllaznisë bëjnë me dije se Fojleta nuk ka qenë lojtar i Vllaznisë, por i të rinjve të Adës së Velipojës dhe nuk luan futboll prej 4 vitesh. Prandaj, ky fakt e hedh poshtë idenë se Fojleta ka pasur konflikt të drejtpërdrejtë me trajnerin e Vllaznisë, Ernest Gjoka. Paraprakisht, pritet dëshmia e të arrestuarve në polici, pasi ajo mund të nxjerrë shkakun e vërtetë se pse 19-vjeçari sulmoi trajnerin Gjoka.