Ajo e veshur me të zeza për vdekjen e bashkëshortit dhe vjehrrës, ai tmerrësisht i frikësuar. Kjo ishte pamja sot në Gjykatën e Vlorës, e çiftit në lidhje jashtëmartesore me njëri-tjetrin, që u bënë edhe vrasës vetëm se nuk takoheshin dot me njëri-tjetrin për shkak të angazhimeve dhe detyrimeve familjare që ata kishin.
Hysnie Hoxhallari 32 vjeçe banuese në Vlorë dhe i dashuri i saj Kasëm Pirjasi 26 vjeç banues në Strum të Fierit, të dy të martuar me persona të tjerë dhe me fëmijë, dolën sot para togave të zeza, ku morën masën e “arrestit me burg” për vrasje të dyfishtë. Në janar të 2018-ës, ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vranë në banesë bashkëshortin e Hysnies, Olsi Hoxhalllarin, dhe nënën e tij të moshuar.
Ishte një ngjarje e trishtë ajo e gjetjes së pajetë të nënës së moshuar dhe birit të saj, në banesën e tyre në Vlorë, të shkrumbuar nga flakët. Hiri i tymit do fshinte pas një krim po kaq të rëndë. Nusja e shtëpisë, dhe i dashuri shumë më i ri në moshë, vetëm 26 vjeç, me të cilin kishite lidhje jashtëmartesore, fshiheshin pas ngjarjes të shfaqur fillimisht si aksidentale. Por hetimet zbuluan se Hysnie Hoxhallari dhe i dashuri i saj Kasëm Pirjasi, ishin autorë të vrasjes së dyfishtë të Selkie Hoxhallarit dhe djalit të saj Olsit, bashkëshortit të Hysnies 32-vjeçare. Ajo akuzohet se organizoi vrasjen në banesë të burrit dhe vjehrrës.
Ngjarja ndodhi në muajin janar në banesën e familjes Hoxhallari në lagjen 24 Maji në Vlorë. Sipas policisë krimi makabër ndodhi për motive të dobëta, dhe para se t’i vrisnin me sëpatë, ata i kanë dhunuar. Zjarrin e shkaktuan për të devijuar krimin dhe për ta bërë të duket si zjarr aksidental.
“I vrava sepse nuk takoja dot Hysnien”, ishin fjalët e 26-vjeçarit, teksa gjatë gjithë kohës u shfaq shumë i frikësuar në gjykatë. Para tij qëndronte edhe Hysnia, e cila mban ende veshur rrobat e zizë. Ajo ka pranuar në gjyq se u bë dëshmitare e këtij krimi të rëndë, por thotë se vrasjen dhe zjarrin në shtëpi, i vuri i dashuri i saj. 32-vjeçarja u shpreh se nuk mund të tregonte për krimin për shkak të opinionit publik, pasi të mësohej për lidhjen e saj jashtëmartesore.
Kasëm Pirjasi është baba i dy fëmijëve. Hysnie Hoxhallari, nënë e tre fëmijëve.
26-vjeçari kishte lidhje jashtëmartesore me Hysnien, dhe historia e tyre e fshehtë u kthye në tragjedi, pasi bashkëshorti i 32-vjeçares erdhi nga Greqia pr festat e fundvitit. Në pamundësi për të mos e takuar dot Hysnien, i riu nga Fieri bëri krimin e rëndë.
Gjykimi për Hysnie Hoxhallarin dhe Kasëm Pirjasin do vazhdojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.