Policia e Shkodrës ka vënë në fokusin e punës së saj kontrollin e makinave me xhama të errët që qarkullojnë në rrugët e metropolit të Veriut. Duket se ka qënë një urdhër i drejtorit të ri të policisë Vehbi Bushati, i cili ka vënë në lëvizje menjëherë policinë e Shkodrës. Përveç “Rrugores”, janë orientuar edhe sherbimet e Rendit dhe FNSH të kalojnë në sitë të gjitha mjetet.
Paramendohet se makina me xhama të errët fshehin pas tyre jo rradhë elementë me precedente penalë. Drejtori Bushati, i cili edhe më herët ka qenë në krye të bluve të Shkodrës, e njeh mirë këtë realitet dhe ka dashur të fillojë nga këtu, aq më shumë duke qenë në linjë edhe me udhëzimet e Ministrisë së Brendshme.
Vetem në dy ditë janë ndaluar më shumë se 200 automjete në rrugët e qendrës, ndërsa aksioni do të vijojë. Shoferëve u janë kërkuar dokumentet e makinave për të parë nëse xhamat janë fabrikisht apo të modifikuar. Nëse i përkasin rastit të dytë, merren masa menjëherë deri në bllokim të mjetit. Kjo fushatë nuk ka anashkaluar edhe detyrën parësore të “Rrugores” siç janë gjobat për shoferët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor por edhe për detyrime të pashlyera nga shoferët pas gjobave të marra në kohë të ndryshme.