Albert Zekaj, 32-vjeçari i cili në qershor 2017 vrau shokun e tij Kreshnik Beqiraj, duke e goditur me çekiç në kokë, ka dalë sot përpara Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Me pranga në duar dhe kokën ulur, ai është shoqëruar nga forca të shumta policie për në ambientet e Gjykatës së Fierit. Gjyqtar i çështjes është Marsela Dervishi, prokurore Suela Beluli, ndërsa avokat mbrojtës i të pandehurit, i caktuar nga gjykata, Ardian Abazi.
Kreshnik Beqiraj jetonte me autorin e krimit, ndërsa prej 8 muajsh ai ishte zhdukur në mënyrë të mistershme. Trupi i pajetë i Beqirajt u zbulua dy ditë më parë në një kanal, ndërsa u zbardh edhe ngjarja ku autor i krimit rezultoi se ishte shoku i tij i dhomës.
Dëshmia përpara hetuesve: Isha i dehur, pasi e vrava i copëtova trupin
Zbardhet dëshmia e Albert Zekajt përpara hetuesve. Ai ka deklaruar se mbrëmjen e 26 qershorit kur ka shkuar në shtëpinë ku jetonte me Kreshnik Beqirajn, kishte konsumuar dy dopje pije alkoolike dhe e ka qëlluar me çekiç në kokë disa herë duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas ai vijuar dëshminë horror duke thënë se e ka lënë trupin për tre ditë të fshehur në shtëpi me qëllim që të ngrinte gjaku e të mos mbeteshin shenja. Pas tre ditësh e ka copëtuar trupin dhe pasi e ka mbështjellë me batanije dhe i ka vendosur në një valixhe pjesët e trupit i ka hedhur në fshatin Daullas.