Mbledhja e Komisionit të Emergjencave Civile është zhvilluar si çdo ditë në Prefekturën e Qarkut Shkodër. Shefi i Emergjencave Civile në Prefekturë z. Pëllumb Dani ka konsideruar të rënduar dhe në precipitim situatën në zonat e përmbytura të Bashkisë së Shkodrës. Ai ka evidentuar rritjen e shkarkimeve nga HEC-et, rritjen e nivelit të ujit në zonat e përmbytura si dhe zgjerimin e sipërfaqes nën ujë. Z. Dani është shprehur se situata pritet të përkeqësohet edhe në vijim.
Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës z. Arben Gjuraj ka raportuar mbi punën që po bëjnë në terren strukturat bashkiake, duke qënë vazhdimisht në mbeshtetje dhe ndihmë të njerëzve në nevojë. Ai ka adresuar problemet me bllokimin nga uji të rreth 100 familjeve, të qarkullimit në zonën e Obotit, frekuentimit të ulët të shkollave pasi prindërit ndjehen të frikësuar, të ushqimeve për qytetarët dhe bazës ushqimore për gjënë e gjallë.
Kryetarja e Bashkisë zj. Voltana Ademi ka kërkuar informacion nga prefekti i Qarkut Shkodër z. Çesk Millja lidhur me kërkesën që ka dorëzuar prej ditësh Bashkia e Shkodrës për shpalljen e emergjencës civile në zonat e përmbytura. Z. Millja ka thënë se deri në këto momente, pavarësisht komunikimit me Ministrinë e Mbrojtjes, akoma nuk ka asnjë informacion për shqyrtimin e kërkesës së Bashkisë së Shkodrës.
Në takim u diskutua për rrezikun e përkeqësimit të situatës në territor, ndërsa qeveria ngurron të shpallë gjendjen e emergjencës civile. Bashkia e Shkodrës është e vendosur, e mbështetur në kërkesat që vijnë ditë pas dite nga banorët të zonat e përmbytura, të përmbushë vullnetin e qytetarëve. Për të arritur këtë, Bashkia e Shkodrës do të ndjekë të gjithë hapat e nevojshëm institucionale dhe ligjorë duke nisur nga dita e nesërme. /Marrë nga faqja zyrtare në Facebook e Bashkisë Shkodër/