Ndërsa mbi 2400 ha tokë vijojnë të jenë nën ujë në Bashkinë e Shkodrës dhe ndërsa nuk duket se qeveria do të plotësojë kërkesën e kryebashkiakes Voltana Ademi për shpalljen e emergjencës civile, ekzekutivi bën një lëvizje përmes KESH.
Përmes një shkrese të siguruar nga ShkodraWeb KESH njofton prefektin e Shkodrës Çesk Millja dhe për dijeni ministrin Gjiknuri dhe 3 kryetarë bashkishë, se nga data 12 mars do të nisë dëmshpërblimi i familjeve të përmbytura në vitet 2010- 2011. Shkresa në fjalë mban datën 2 mars 2018 dhe në të thuhet:
“Ne rrethanat kur situata financiare e KESH sh.a. është përmirësuar si rrjedhojë e situatës së favorshme hidrike, ju bëjmë me dije se proçesi i shlyerjes së kompensimeve (detyriimeve të mbetura pa likujduar), do të fillojë që me datë 12 Mars 2018 me rivendosjen e kontakteve në terren me përfituesit e padëmshpërblyer akoma për ta përmbyllur të gjithë proçesin në një afat kohor sa më të shkurtër të mundshëm”.
Në të njëjtën shkresë të siguruar nga ShkodraWeb KESH bën me dije se nga 5110 përfitues, kanë mbetur pa marrë paratë mbi 2000 të tjerë. KESH po zbaton më në fund, një VKM të qeverisë Berisha të datës 6.12.2011. Vetëm dy ditë më parë, përfaqësues të banorëve të Dajçit të udhëhequr nga Paulin Maçaj protestuan, duke kërkuar që dëmshpërblimi të sherbente për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj KESH. Shpresojmë që kjo “mesele” të mbyllet njëherë e mirë, ndërsa fatkeqësisht edhe në këto orë përmbytjet vazhdojnë në Bashkinë e Shkodrës.