Arrestohet kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj për shpërdorim detyre. Mësohet se kryebashkiaku i zgjedhur në 2015 si përfaqësues i Partisë Demokratike, është vënë në pranga nga policia pak çaste më parë. Frrokaj akuzohet për tjetërsim të pronave në Bashkinë e Lezhës, ndërsa dosja është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Gjithashtu, është arrestuar edhe nënkryetari i Bashkisë Enver Hafizi si dhe 23 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe hipotekave mbi të cilët rëndon e njëjta akuzë, ajo e tjetërsimit të pronave. Pak kohë më parë ishte ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i cili u shpreh se me pronat në Lezhë është bërë krim.
Edhe në Lezhë ka ndodhur e njëjta skema abuzimi me pronat, duke falsifikuar dokumentet dhe kthyer tokat ranishte në toka bujqësore me pronar dhe mbi to ndërtoheshin biznese të ndryshme, lokale, hotele dhe shtëpi banimi.
Mbetet për t’u përcaktuar roli i saktë i kryebashkiakut Frrokaj në tjetërsimin e pronave dhe ndërtimin e bizneseve në tokat me dokumente të falsifikuara. Të përfshirë në këtë skemë dyshohet se janë të përfshirë edhe punonjës të Prefekturës dhe Hipotekave. /shqiptarja.com/