“Dita Përkujtimore e Dëshmorëve të 18 Marsit” ka sjellë në Shkodër si çdo vit ambasadorin e Turqisë në Tiranë Ahmet Yoruk. Aktivitetet kanë startuar tek memoriali i Hasan Riza Pashës ku janë vendosur kurora me lule. Më pas, në mjediset e Institutit Yunus Emre është zhvilluar një takim përkujtimor, ku është referuar mbi rëndësinë e ditës, janë shfaqur video te shkurtra promovuese dhe kane referuar përfaqësues të familjeve shqiptare që kanë dhënë dëshmorë në Çanakala. Pikërisht “Çanakala 1915” titullohej edhe ekspozita e hapur, e cila u vizitua me mjaft interes nga të pranishmit.
Aktivitetet e kësaj dite përmbyllen me shfaqjen e filmit dokumentar “Saga e Çanakalasë 1915” që shfaqet ne mjediset e Kinema “Millennium” në Shkodër.
Në aktivitetet e zhvilluara kanë marrë pjesë autoritetet më të larta vendore si kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, kryetari i Këshillit Bashkiak Shkodër Xhemal Bushati, prefekti i Qarkut Çesk Millja etj.
Të gjithë dëshmorët e Turqisë që dhanë jetën në Luftrat Ballkanike, në Betejën e Çanakalasë, në Luftën e Pavarësisë, në tentativën e Grushtit të Shtetit të 15 korrikut, në operacionin Firat Kalkan, në operacionin Zeytindali, në humbjet civile, në operacionet, sulmet dhe të gjitha luftrat ndërkufitare, janë përkujtuar me lexim Kur’ani dhe gostitje me hallvë.