Shënim i ShkodraWeb
Largimi i 4 këshilltarëve të LSI-së drejt PS-së në Shkodër ishte vetëm njëri nga zinxhiri i gjatë që duket do të ndjekë këtë forcë politike, më në fund në opozitë. E duket se pikërisht ky pozicion i ri, për herë të parë nga 2005- a, po e dërgon këtë forcë politike drejt tkurrjes deri në shkërmoqje.
LSI lindi pak para vitit 2005 si një shkëputje e Ilir Metës, disa ish- ministrave të kabineteve të tij por edhe mbështetësve publike nga rradhët e PS-së. Ishte koha kur socialistët e “mëdhenj” po nisnin opozitën e gjatë 8- vjeçare dhe LSI për hir të realitetit u favorizua në këtë dualitet brenda opozitës. E fuqishme edhe nga fondet qe ja kishte dalë të vinte në zotërim Meta por edhe ish- ministrat e tij gjatë qeverisjes 8- vjeçare, LSI e shfrytëzoi mjaft mirë mërzitjen e socialistëve nga starti i nje opozite 8- vjeçare.
LSI dhe Meta ja dolën që të tkurrnin mjaft PS-në, sidomos në zgjedhjet e 2007-ës, kur Meta u rreshtua me PS-në e Edi Ramës në zgjedhjet vendore. Si pjesë e të majtës, Meta ja doli të kthehej në faktor të rëndësishëm, duke marrë fillimisht pushtet “vendor” në Këshillat Bashkiakë e Komunalë në mbarë vendin. Në fakt, 2007-a ishte “nxemja” e LSI-së para zgjedhjeve- test të verteta të 2009-es. Marrëveshja Rama- Berisha ja doli ta tkurrë mjaft LSI-në në këto zgjedhje, por duke qënë më në ekstrem me Berishën se vetë PS-ja, Meta siguroi vetëm 4 mandate në Kuvend, por që rezultuan të arta.
Pavarësisht se ishte shpallur si opozitari më i egër i Berishës, Meta ia vuri në dispozicion PD-së 4 mandatet e arta dhe për 4 vite, si një aktor shumë i mirë politik ia doli të mbajë në pushtet edhe për 4 vite te tjera ish- armikun. Natyrisht, u fuqizua edhe me shumë politikisht dhe financiarisht.
Imponimi me numra që i bëri PS-së, solli një marrëveshje Rama- Meta që i parapriu zgjedhjeve të 2013-ës që mbajtën në pushtet LSI-në duke ndërruar thjesht partner bashkëqeverisës: nga e djathta në të majtë.
4 vitet e qeverisë ishin mjaft të vështira, por gjithsesi Meta ia arriti të vazhdojë fuqizimin e gjithanshëm. Treguesi më i qartë ishte numri 16 i deputetëve që ai mori në zgjedhjet politike të 2017-ës, pavarësisht sulmit frontal të dy krahëve PD dhe PS.
E pikërisht nga 9 shtatori 2017, nisi edhe prova e vertetë për LSI-në, këtë herë pa timonierin Ilir Meta, të cilin me disa mekanizma, me hir po pahir, Rama e izoloi në Presidencë. Madje, duke e bërë të ndërrojë 2 herë brenda po kaq muajsh edhe kryetarin “de jure” të partisë nga Petrit Vasili tek Monika Kryemadhi.
Pas krijimit të qeverisë “Rama 2”, u ngjallën disa shpresa për atashim të LSI-së si pjesë e opozitës së drejtuar nga PD-ja. Pati disa takime Basha- Kryemadhi, nisma politike PD-LSI në Kuvend dhe ne shesh, një potestë të madhe të organizuar në shesh dhe…kaq.
Siç duket një bashkëpunim i mundshëm PD-LSI nuk shihet afatgjatë. Madje as afatshkurtër, deri në zgjedhjet vendore të 2019-ës. LSI duket e vetme në opozitë. Tanimë pa liderin e vet dorëfortë dhe që jepte e mbante fjalën me çdo kusht, siç thonë ata që e kanë njohur nga afër Metën. Pas largimeve të këshilltarëve, nuk është çudi të nisin largimet e deputetëve. Në drejtim të PS dhe të PD-së, ndoshta shumë shpejt, mbase nga rrafshi i Veriut në fillim. Ndërsa sot flasim thjesht për tkurrje, ikjet e deputetëve mund ta çojnë LSI-në drejt shkërmoqjes. Në formën e një cikli apo e përhershme? Pa Metën, do ta ketë të vështirë, të paktën deri në verën e 2022-it. ©ShkodraWeb