Për rreth tre orë me dyer të mbyllura, kreu i SHISH, Helidon Bendo ka raportuar përpara Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Në një mbledhje të zhvilluar pa praninë e medias, është mësuar se Bendo u pyet për rrezikun rus në Shqipëri, pasi SHBA dhe 22 vende të tjera dëbuan 137 diplomatë, me kërkesë të Britanisë së Madhe, pas rastit “Skripal”.
Bendo mohon të ketë influenca të qarta ruse, por ka pranuar se ka tendenca të tilla.
Është mësuar gjithashtu se Helidon Bendo u pyet për lidhjet e politikanëve me 613 kg kokainë dhe drogërat e tjera. Kreu i SHISH nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë por thotë se sfida me narkotikët është prioritet.
Kjo përgjigje duket se nuk i ka lënë të kënaqur deputetët, të cilët janë shprehur se kreu i SHISH ka dhënë përgjigje prej “delfini” dhe kanë përsëritur disa herë të njëjtat pyetje në drejtim të Bendos. /shqiptarja.com/