Nga Blerti DELIJA
Një tjetër punishte që prodhonte mallra ushqimorë konsumi të përditshëm për qytetarët e Shkodrës, është bllokuar. Kjo, pasi ishte jashtë të gjitha kushteve higjeno- sanitare. Të shohësh pamjet e kësaj punishteje, bindesh se shumë dhimbje stomaku, koke po çdo pjesë të trupit i ke patur nga ushqimet e tyre që ke konsumuar. Pa folur për pasojat që mund të shfaqen pas 5 apo më shumë vitesh. Shkurt, kemi blerë helm me para! Sepse çdo ushqim që nuk është brenda standarteve, vepron njëlloj si helmi.
Brenda pak kohësh, është rasti i dytë në Shkodër. Në të rastet, direkt apo indirekt është i përfshirë shteti. Sigurisht jo direkt Edi Rama, as edhe ministri i bujqësisë Niko Peleshi. Por të përzgjedhurit e tyre për të kontrolluar sigurinë e ushqimeve që ne konsumojmë. Emrat? E ç’ rëndësi kanë emrat, ndërgjegja e tyre, fitimet për mosushtrimin si duhet të detyrave ligjore e funksionale? Dëmi i bërë, për ata fatkeqë që mund të kenë pasoja, nuk mund të riparohet. Organizmi e ka marrë tashmë dozën e helmit ushqimor, madje duke e blerë me para dhe shpesh edhe me dëshirë, bazuar në etiketën e njohur që sipas gjasava, paska qenë e falsifikuar.
Pije dhe ushqime jashtë standarteve që i bëjnë dëm shendetit të njeriut! Vetëm vdekja besoj se është më e rëndë! Vjedhja e votës? Asgjë! Blerja e votës? Vogëlsi! Pasurimi i politikanëve duke marrë nga paratë tona? Pickima e një pleshti! Këtu po flasim për jetë njerëzish, për vdekje të shtuara nga ushqimet që hamë e pijmë! Çfarë vlere mund të ketë jeta e një njeriu të vetëm? Rënia apo ngritja e 100 qeverive e kryeministrave nuk vlen jetën e një shqiptari!
Por edhe pas këtyre lajmeve, jemi të qetë! Edhe pse shumë nga ne mund të jenë sëmurur, mund të kenë vdekur nga produktet e këtyre “punishteve”, edhe pse mbase qindra e mijëra të tjerë mund të vdesin prej këtyre ushqimeve, të gjithë e kemi mendjen tek vettingu, pronat në Lezhë, trafikimi i shqiptarëve në Europë e SHBA dhe sidomos…tek salla e parlamentit: Kush po fiton sot “ndeshjen” e rradhës?! Nënjë vend normal, qytetarët do të duhej të ishin të gjithë në shesh, për të fshirë nga faqja e tokës me politikanë, me parlamentarë, me ministra, me drejtorë e deputetë!
Por jo! Sërish duke nisur nga nesër, do të vijojmë të blejmë tek minimarketi poshtë shtëpisë! Mish të grirë frigoriferi vetëm 500 lekë kg, sallam me vetëm 350 lekë kg, djath me 250 lekë kg e kështu me rradhë. Anipse do të ankohemi se na dhemb stomaku, më dhemb koka, më merren mendtë…sepse e dimë “faji” është i kohës, i ndryshimit të stinës… Dhe kur në mëngjes ndonjëri do të zgjohet i vdekur pasi ra për të fjetur shëndosh e mirë, pa pirë asnjëherë një aspirinë, përsëri e kemi përgjigjen: Deri këtu e pat, e kishte të shkruar! Duke marrë me vete edhe helmin që nga stomaku përmes ushqimeve, i kaloi në gjak duke i marrë jetën…
E në fund një pyetje retorike: Kur nuk e nxejmë prapanicën për prapanicën tonë e të femijëve tanë, kush na e ka fajin për të tjerat e të tjerët…?! @ShkodraWeb