Nga Blerti DELIJA
Ajo që quhet rëndom i “Rruga e Kombit” dhe që lidh dy shtetet shqiptare në Ballkan, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Vendosja e një tarife kalimi mbi të, ka ngjallur jo pa të drejtë reagime të shumta. Për hir të realitetit, më shumë në Kosovë se në Shqipëri.
Në prill 2014, një investigim i BIRN ka treguar një shifër të çmendur të kostos së kësaj rruge për shqiptarët. Sepse natyrisht, asnjë kryeministër apo ministër, nuk paguan më shumë taksa se një qytetar i thjeshtë, pavarësisht se mund të firmosë edhe në “marri” në emër të shqiptarëve një shumë që mund edhe të mos përfundojë aty ku është nisur. E besoni apo jo, “Rruga e Kombit” u ka kushtuar shqiptarëve këtej e andej kufirit as më shumë e as më pak por 2 miliardë euro. Po ta shkruash si shifër, do të duheshin 9 zero pas 2-it. Bëhet fjalë për një rrugë të gjatë jo më shumë se 137 km ndërsa për standartet, mund të flasin ata që e kanë kaluar. Me një përllogaritje të thjeshtë, i bie që për çdo kilometër janë paguar nga paratë e shqiptarëve të varfër, këtej e andej kufirit plot 14.5 milion euro. Janë një borxh i marrë nga qeveritë “për të mirën tonë” të përbashkët. Breza të tërë shqiptarësh, ndoshta të palindur akoma, do të duhet të paguajnë për borxhin e “Rrugës së Kombit”.
Ndërsa ne, “dëshmitarë okularë” të ndërtimit dhe përurimit, duhet të paguajmë akoma, ha herë të kalojmë në këtë aks. Do të paguajnë të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm ata që kanë mjete private apo për biznes. Vjelja e tarifës do të rrisë pa pikë dyshimi çmimet e transportit apo biletave. Natyrisht, nuk do ti paguajnë shoferët apo pronarët e furgonave apo autobusëve, por pasagjerët. Pak a shumë, siç ka ndohur edhe me rritjen e çmimit të natës që sërish, e kanë përballuar pasagjerët edhe në akse të tjera.
Shteti do të vazhdojë të vjelë si deri më tani taksat nga shoferët e pronarët e mjeteve të trasnportit si deri më sot. Por do të shtohet edhe një pagesë tjetër në arkën e shtetit. Edhe nëse do të jetë “qokë” në formën e konçensionit për ndonjë “të panjohur” të qeverisë së rradhës, kjo e fundit do të marrë me patjetër “hisen e vet”. Nëse nuk është e përcaktuar në kontratë, minimalisht do të vjelë 20% të TVSH si një bisnes dhe, nëse klasifikohet i madh, do të marrë edhe para të tjera.
“Rruga e Kombit” do të jetë përjetësisht si “Litari i Nastradinit” apo edhe si “Kapelja e Keplerit”. Sa herë ta kalojmë, do të paguajmë. Madje shumë më shtrenjtë se në supërstradat e vendeve fqinje. Biles 4-fishin e asaj qëka propozuar edhe kompania që bëri studimin para vendosjes së tarifës, niveli më i ulët i të cilës është 650 lekë apo 5 euro.
Çfarë mund të bënte qeveria? Minimalisht, tarifa për qytetarët që e kalojnë për shkak të vendbanimit (Kukës e rrethina) duhej të ishte shumë më e ulët, pse jo edhe zero. Nga ana tjetër, për targat shqiptare, nuk ka arsye të jetë e njëjtë me ato kosovare e aq më pak të huaja. Për arsyet që shtjelluam më sipër. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, duhej të siguronte një aks tjetër- alternativ, më të gjatë, më me pak standarte ku rë mund të kalonin ata që nuk kanë mundësi financiare apo edhe duan t’ bojkotojnë. Në fund, logjika e tarifimit pa dallim mund të vlente nëse rruga do të ndërtohej me konçesion dhe jo të jepej vetëm mirëmbajtja. Madje, edhe në këtë rast do të duhej që të përcaktohej afati. E meqë po jetojmë në erën e “PPP” apo të konçensioneve, nuk do të ishte keq që të jepej me konçension qeverisja e vendit. Besojmë se do të ishte më mirë për shqiptarët, këtej e andej kufirit… ©ShkodraWeb