Shënim i ShkodraWeb
Edhe protesta e sotme në Kukës, është produkt i opozitës shqiptare. Pohimi ka ardhur nga kryeministri Rama, në një konferencë për mediat, e karakterizuar nga dihatja e dukshme deri në mosngopje me oksigjen e kreut të qeverisë. Nuk mund të thuhet nëse ishte shprehje e frikës apo e zemërimit, por frymëmarrja jo ritmike e kryeministrit ishte e dukshme. Ashtu siç edhe gjysmëbuzëqeshja e tij në mbyllje të komunikimit, e shoqëruar me një shkelje syri.
Shefi i qeverisë pohoi se mund të ketë gabuar, por nuke ka bërë me qëllim. Gjatë fjalës së tij është shprehur i hapur për dialog, madje nga e hëna me kryebashkiakun e Kukësit që i ka dërguar një letër për të diskutuar lidhur me tarifimin e “Rrugës së Kombit”. Është evazive, por mund të thuhet se protesta e sotme, solli deklaratën publike të Ramës duke shprehur gatishmërinë e “thyerjes”. Po ashtu, mesazhi i fortë për këshilltarët socialistë të Kukësit, të cilët nëse kanë ngritur dorën pro protestës, janë të përjashtuar nga familja politike.
Siç ndodh prej shumë vitesh tashmë, “fajin e ka Saliu” edhe për protestën e sotme. Tingëllon e çuditshme, teksa edhe kritikë të lidershipit aktual të PD-së si Astrit Patozi, kanë rezerva dhe shprehen se “populli është një hap përpara” opozitës.
Edi Rama e shfaq ndenjën e fajit, por duhet edhe të identifikojë fajtorë nga ana tjetër e barrikadës. Fjalimi i qëndisur (si gjithmonë) na paraqet një kryeministër tjetër. Një kryeministër që ka bërë lanet rehatinë e tij për popullin. Një kryeministër që thotë se mund të anullonte dhënien me koncension të “Rrugës së Kombit” të nisur si proces nga Sali Berisha dhe të mbyllur nga ministra të LSI-së në kabinetin e tij qeveritar të kaluar. Mbase për herë të parë Edi Rama i dorëzohet publikisht politikës populiste, madje duke kujtuar se opozita do ta marrë përgjigjen e rradhës qershorin tjetër, në zgjedhjet vendore.
Edhe për protestën e sotme, Edi Rama ka informacion më shumë se ne që e ndjekim nga ekrani apo nga Facebook-u i tij. Kjo është e natyrshme për postin që ka. Takimi me ministrin e Brendshëm Xhafaj pak minuta para konferencës për shtyp, duket ka sjellë ndryshimin edhe të frymëmarrjes: shpeshtim, mosngopje deri në dihatje të vazhdueshme.
Skema është deri diku e njejtë me atë te janarit 2011, por me role të ndryshuara. Atëherë ishte Berisha ai që linte të kuptohej se kishte një skenar opozitar për dhunën në bulevard. Sot është Rama, ai që thotë të njëjtën gjë për dhunën në “Rrugën e Kombit”. Ndërsa nuk mungon dhuna policore, të lënduarit apo te plagosurit, fatmirësisht nuk ka viktima. Ndoshta ishte tërheqja e FNSH-së dhe Policisë që parandaloi një skenar që mbase Rama e di se si mund të kishte ndodhur. Identifikimi i disa elementëve në protestë, pjesëmarrës ose jo aktiv, mund të jetë një indicie.
Por për hir te realitetit, opozita nuk u shpreh asnjeherë për protestën, nuk mori autorësi direkte apo indirekte për organizimin. Nëse do të ishte kështu, skenari i mundshëm i parealizuar, mund të ketë qënë i rëndë. Ky aks bashkon Kosovën, në një situatë aspak të qetë pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm dhe shefit të Shërbimit Inteligjent pas deportimit ilegal të 6 shtetasve turq; me vendin tonëqë aktualisht po përjeton një kontradiktë të hapur diplomatike me Rusinë si pjesë e politikës së jashtme të përbashkët me BE e SHBA.
Ky miks, nëse për këtë aludon Rama apo edhe Xhafaj, do të krijonte një situatë shumë të rëndë në “Rrugën e Kombit”. Ndoshta për këtë arsye frymëmarrja e Ramës i ngjasonte një dihatjeje: Të një njeriu që vrapon nga dikush apo që i shpëtoi ndjekjes nga dikush. Urojmë të mos i kemi dhënë kryeministrit një alibi, aq më shumë kur lobimi rus i opozitës është akoma argument i hapur në Shqipëri.