Gjykata e Apelit në Shkodër ka liruar noteren Majlinda Dibra. Apeli vendosi masën e sigurisë lehtësuese “detyrim paraqitje” për noteren Dibra. Më parë gjykata e shkallës së parë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pas arrestimit të saj. Noterja Majlinda Dibra u arrestua duke u dyshuar për falsifikim të një dokumentacioni pronësie.
Mendohej se noterja shkodrane kishte falsifikuar një firmë në një testament të një personi përpara se ai të vdiste. Në apel pala mbrojtëse paraqiti një akt nga një ekspert kriminalistik ku vërtetohet se firma e personit që ka lënë testamentin është e tija dhe nuk është e falsifikuar. Më përpara prokuroria posedonte një tjetër akt ekspertimi sipas të cilit firma ishte e falsifikuar.
Akti i dytë i ekspertimit e ka hedhur poshtë këtë pretendim. Me këtë provë të paraqitur por edhe argumentat e palë mbrojtëse gjykata e apelit vendosi që të lirojë noteren Majlinda Dibra. Në seancën e gjyqit në apel u hodhën sinjalet e para se e gjitha kjo është një skenar i mirëpërgatitur me qëllimin dashakeq për të goditur noteren Majlinda Dibra. Në seancat e tjera pritet që ajo që ka ndodhur të zbardhet deri në fund
Majlinda Dibra u arrestua për shkak se dyshohej nga prokuroria se kishte falsifikuar firmën e një personi që kishte lënë testament. Në atë testament personi në fjalë shtëpinë e tij përpara se të vdiste ia kishte lënë trashëgimi djalit të tij. Pasi personi është ndarë nga jeta, ish-bashkëshortja e tij ka kërkuar pjesë tek shtëpia duke thënë se gjysma e shtëpisë i takon asaj si trashëgimtare.
Ish-bashkëshortja ka pretenduar se firma e ish-bashkëshortit të saj në testament është falsifikuar me qëllim që shtëpinë ta merrte djali i tij. Pasi trupi gjykues i kryesuar nga Fuat Vjerdha dëgjoi palët vendosi të lirojë noteren Majlinda Dibra ndërsa tashmë pritet që noterja që u arrestua t’i shkojë deri në fund kësaj çështje sepse pretendon se nuk ka bërë asnjë falsifikim sepse personi e ka firmosur vetë testamentin. Noterja pretendon se është një goditje dashakeqe ndaj saj që do të zbardhet në vazhdimësi.