Dëshmitarë okularë në Pedonalen e Shkodrës apo siç quhet pjr shumë e shumë vitesh Piaca, kanë dërguar në redaksinë e ShkodraWeb disa foto ku shihet një fener dekorativ i shembur përdhe. Bashkë me fotot qytetarët kanë dërguar edhe një informacion lidhur me rrethanat. Sipas tyre, një makinë që po futej kundravajtje në Pedonale, ka goditur fenerin duke e rrëzuar përtokë. Gjithçka ka ndodhur nën indiferencën e kalimtarëve të shumtë, ndërsa personi që ka dëmtuar fenerin është larguar pa asnjë problem nga vendngjarja.
Nuk është hera e parë që ky fener dekorativ pranë Prefekturës goditet dhe rrëzohet. Edhe dy herë të paktën, ai është rrëzuar dhe është vendosur në vend. Për të qëndruar në dëmtimin e pronës publike, tashmë kanë dalë jashtë funksionit dhe pistonat e vendosur në hyrje të pedonales, tek “Pallati i Kinezëve”. Edhe ata janë goditur disa herë nga makinat, ndërsa rasti më i fundit ka qënë fatal dhe nuk mund të rivihen më në punë. Numri i policëve bashkiakë të Shkodrës është shumë i vogël për ti vendosur në ruajtje të të gjithë fenerëve apo të pronave publike që po shkatërrohen në vijimësi… Të gjitha janë bërë, do të behen dhe riparohen me paratë tona…të taksapaguesve shkodranë. Mbase ata që shkatërrojnë nuk u dhimbsen sepse nuk paguajnë…