Ish i dënuari Sokol Mirakaj, ka rrëfyer sonte në emisionin e ‘Opinion’ historinë e tij të vuajtjes në kampin e Tepelenës. Ai shprehet se kushtet në kamp kanë qenë të këqija. Brenda një kazerme sipas tij jetonin 600 persona dhe hapësira për një person ishte sa një gazetë. Mirakaj rrëfen se brenda kazermës jetonin bashkë gratë dhe burrat, sipas tij ishte ambient i rënd dhe jetohej në vështirësi.
“Dikur ishte një kamp ku ishim të ndarë nga njëri tjetri me copa gazetash. Ne ishim katër vetë, ngjitur me ne ishte një familje tjetër, gjysma e gazetës ishte hapësira për një njeri në kamp. Jetonim 600 veta brenda një kazerme, gra, burra, pleq, fëmijë, të sëmurë, të shëndosh. Për të gatuar gatuhej jashtë kampit në fund të fushës së kampit. 100 metra larg kazermave ku shkonim e merrnim ushqimin, atë ushqim të shkretë e hanim përpara se të futeshim në kazermë”, u shpreh Mirakaj.
Sokol Mirakaj rrëfen jetën në Kampin e Tepelenës: Ishte njësoj si në ferr
Sokol Mirakaj ka qenë shumë i vogël kur familja e tij, me vëllain, motrën, nënën e gjyshen, u transferua në kampin e Tepelenës. Ai nuk e kujton, s’ka se si, tmerrin e momentit të parë kur të hedhin nëpër kazerma, por jetoi aty aq sa për t’i krijuar kujtimet më vonë.
Sepse nëse një fëmijë mund të harrojë pamjet e shkretuara të vendit, s’mund të harrojë të ftohtin e urinë, dhunën e përbuzjen. As luftën e së ëmës që bënte ç’të mundte që fëmijët ta ndjenin sa më pak lemerinë ku po jetonin, menjëherë pas lindjes.
Të hënën në darkë, përballë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në TV Klan, Sokol Mirakaj ka rrëfyer atë eksperiencë të hidhur që kaloi në fëmijërinë e tij, ku sot disa zëra të lidhur emocionalisht me regjimin totalitar; duan t’ia heqin peshën e fajit.
“Nuk lamë fëmijë pas. Dolëm nga Ferri. Edhe pse po shkonim përsëri në internim ne dolëm nga Tepelena”,- tregon Mirakaj.
Në moshën 6-vjeçare, ai ka qenë në atë kamp, ku ata që përjetuan tmerret e atij kampi, e konsiderojnë si më të egrin, duke e identifikuar me Ferrin. /opinion/