Nga Blerti DELIJA
Ka qenë vetë kryetari Lulzim Basha ai që ka mbështetur propozimin për përfshirjen e ish- kryetarëve të Kuvendit nga rradhët e PD-së automatikisht antarë të Këshillit Kombëtar. Madje, burime brenda mbledhjes i thanë ShkodraWeb se është konstatuar se asnjë nga statutet e mëparshme të PD-së, nuk e kanë patur këtë pikë.
A është kjo një dorë e shtrirë e Lulzim Bashës për Jozefina Topallin? Nuk duhet të lodhesh shumë për ta kuptuar, qoftë edhe me një detaj të thjeshtë. Nëse statusi mund të quhet “kushtetuta” e PD-së, një nen i asaj do të adoptohet pikërisht për të tentuar mbajtjen e Topallit brenda PD-së. Artifica e gjetur si ish- kryetare e Kuvendit nga rradhët e PD në fakt është vetëm për Topallin. Nga 1992 e këtej, kur PD ka qënë në pushtet ka patur vetëm dy persona në këto poste të larta. I pari ishte i ndjeri Pjetër Arbnori nga 1992 deri në 1997 dhe e dyta Jozefina Topalli. Nuk është e vështirë të hamendësohet se Basha e ka patur këtë informacion.
Topalli thuajse ka shpallur distancimin e plotë nga PD-ja që drejtohet nga Basha. Kritikat deri në sulme të saj ndaj kreut të PD-së, janë të ashpra. Madje ajo ka deklaruar që për të larguar Ramën nga qeverisja, më parë duhet larguar Basha nga drejtimi i PD-së. E pak ditë pas kësaj deklarate dhe mospjesëmarrjes së Topallit në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, në mungesën e Topallit edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar Basha e ka rikthyer atë në organin më të rëndësishëm të partisë pas Kuvendit Kombëtar.
Sipas këtij statuti që sipas gjasave do të miratohet edhe në Kuvendin e fundjavës tjetër, Topalli ka një pozicion të sigurtë, pa votim dhe të nderuar brenda PD-së. Me këtë lëvizje Basha ika dhënë mundësinë ish- deputetes së Shkodrës të rikthehet me dinjitet të plotë në PD, sikur nuk ka ndodhur asgjë deri më sot. Nga ana tjetër, Basha ka përcjellë një mesazh të qartë edhe për kritikët e tjerë të tij duke iu thënë indirekt se dera është e hapur. Natyrisht, jo të gjithë mund të jenë antarë të Këshillit Kombëtar automatikisht dhe aq më pak, antarë të Kryesisë, e cila sipas statutit të ri do të jetë më e vogël në numër. Me veprimin e sotëm, duket se Basha ka dashur të japë sinjalin e qartë se çdo gjë është hedhur pas shpine, pse jo- edhe është harruar apo shumëzuar me zero. Pavarësisht të gjithave, Basha ka një mandat të marrë direkt nga antarësia “blu” dhe nuk është shumë normale që ti nënshtrohet votimit apo votëbesimit të një trupe zgjedhore shumë më të vogël siç janë delegatët e Kuvendit Kombëtar.
Por gjithsesi, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Basha e ka shtrirë qartësisht dorën por a do ta tokë dorën e saj me të Jozefina Topalli?! Institucionalisht, Topalli e ka derën e hapur. Mirëpo në mes, është çështja e parimeve, të cilat sipas ish- kryetares së Kuvendit, nuk janë respektuar- madje janë shkelur nga Basha. Është e vështirë të mendohet se Topalli do ta pranojë pa hezitim këtë përfshirje në strukturën e lartë të PD-së nga Basha. Për shumë arsye, por mbi të gjitha sepse ka qënë më e votuara në PD pas Berishës sa herë ka patur procese zgjedhore. Por nga ana tjetër, me këtë frymë të përhapur dhe me mentalitetin shqiptar “jam me atë që sundon kalanë”, edhe Topalli do ta kishte të vështirë të shpallej fituese qoftë edhe në garën e madhe në numra për antarësinë në Këshillin Kombëtar.
Natyrisht, nuk është një zgjedhje e lehtë për Topallin, ndërsa Basha e bëri publikisht zgjedhjet e tij. Teorikisht, me “këshillimin” e këtyre 28 viteve demokraci- rotacionale, në vitin 2021 Basha do të jetë kryeministër i vendit. Por para asaj dite, ai do të ketë sërish në dorë listën e emrave të kandidatëve për deputet të PD-së. Qënia antar i Këshillit Kombëtar, është premisë e fortë për të qënë pjesë e kësaj liste. Por nga ana tjetër, Topalli do ta ketë shumë të vështirë “ta falë” Bashën për përjashtimin nga lista e vitit 2017. Mosha e Topallit, edhe pse për moshën e zonjave nuk duhet të komentohet asnjëherë, është shumë e re për të menduar pensionimin politik. Ndërsa alternativa e një force tjetër politike me synime të djathta, vështirë të ishte e suksesshme për tu kthyer në faktor përcaktues politik në vend. Vendimi i sotëm i Bashës, do të ketë gjithsesi një rezultat. Mbase deri në fund të këtij muaji do të mësohet nëse Basha dhe Topalli mund të bashkëjetojnë nën të njëjtën sigël politike. Dhe nëse nuk do të ketë “paqe”, dihet se kush do ti hapë rrugën tjetrit brenda PD-së! Normalisht, edhe baza demokrate mund dhe duhet të pozicionohet më lehtësisht pavarësisht vendimit të Topallit. ©ShkodraWeb