Detaje të reja dalin në dritë nga shpërthimi që tronditi dje Fierin, ku një makinë u hodh në erë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:55 në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Grecallisë”. Gazetari Ervis Kuçi raporton për ‘BalkanWeb’ se familja e 38-vjeçarit Ervin Memo, i cili mbeti i plagosur, ka qenë pale në disa procese gjyqësore për prona të trashëguara në qytetin e Fierit, një nga pistat ku po heton edhe policia.
Ndërkohë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth nuk është pikasur asnjë person i dyshimtë që mund të ketë lidhje me vendosjen e eksplozivit, sëpaku orët e fundit përpara shpërthimit. Burime zyrtare për ‘BalkanWeb’ thanë se shpërthimi mendohet se ka qene i telekomanduar, pasi makina tip ‘Benz’ me targa AA270IV nuk lëvizte prej kohësh nga vendi ku ishte parkuar, për faktin se ishte në shitje. 38-vjeçari ndonëse nuk e përdorte makinën, e ndizte atë dy tre herë në ditë për të evituar defektet.
Mendohet se edhe gjatë mbrëmjes së djeshme Ervin Memo ka bërë po të njëjtën gjë, por mjeti ka shpërthyer bashkë me të brenda, duke e lënë këtë të fundit të plagosur. 38-vjeçari aktualisht ndodhet në spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën. Bluzat e bardha bëjnë me dije se i plagosuri ka dëmtime në nofullën e djathtë dhe copa xhami në pjesën më të madhe të trupit. Ndërkohë, policia po vijon me mbledhjen e provave dhe zbardhjen e ngjarjes si dhe identifikimin e autorëve.