Akciza e cigareve do të rritet së paku edhe me 11 % deri në vitin 2021, si një kusht që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të integrimit me BE. Sipas raportimit që qeveria shqiptare ka bërë në Komisionin Europian niveli i akcizës për 1000 cigare është 44 euro që nga 1 janari 2018, por deri me 2021 taksimi me akcizë do të shkojë 48,9 euro për 1000 cigare, me një rritje 11 % nga niveli aktual. Që nga viti 2016 Shqipëria ka taksuar me akcizë 18 euro për kilogram duhanin e prodhuar në vend në përpjekje për të reduktuar informalitetin në prodhimin vendas të këtij produkti.
Në kuadër të integrimit në BE në aspektin fiskal Shqipëria duhet të rrisë bashkëpunimin administrativ. Në këtë drejtim duhet të nënshkruhen marrëveshjet e taksimit të dyfishtë me Danimarkën, Qipron, Lituaninë, Portugalinë, Sllovakinë dhe Finlandën.
Sa i përket kapacitetit operacional dhe kompjuterizimit, administrata tatimore ka 1569 punonjës, 22 prej të cilëve u shkarkuan për shkak të masave disiplinore vitin e kaluar.
Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ende nuk ka kapacitetin teknik për të realizuar shkëmbimin efikas të informacionit me standardet BE-së. Sistemi elektronik i administrimit të taksave ka funksionuar që nga janari i vitit 2015 si një rrjet me një platformë qendrore që vepron në të gjithë administratën tatimore, por strategjia aktuale e departamentit të IT-së nuk ofron hapa dhe afate kohore për të arritur ndërlidhjen dhe ndërveprimin me sistemet e BE-së.
Komisioni Europian vëren se performanca e të ardhurave në vitin 2017 ishte 7.8% mbi nivelet 2016, por pak më poshtë objektivit (-1.7%), kryesisht për shkak të mungesës të së arkëtimeve në tatimin mbi të ardhurat personale dhe të ardhurat nga taksat vendore.
Komisioni Europian i kërkon qeverisë shqiptare që këtë vit të bëjë funksionale kadastrën fiskale bashkitë pilot (Tiranë, Korçë, Fier, Durrës) dhe të zbatojë ligjin e rishikuar të tatimit mbi pronën.
Gjithashtu Komisioni rekomandoi që të mos krijohen vonesa në rimbursimin e TVSH-së dhe të mos krijohen borxhe në këtë proces.