Pse të këqijat e raportit të rremë të Brukselit janë më të mëdha sesa të mirat që mund të sjellë ai nëpërmjet hapjes së negociatave? Pse, edhe në qoftë hartuar me synime të mira, në vend se inkurajim për mirë, ky raport dhe negociatat mund të sjellin një inkurajim për keq? Në shkrimin paraardhës premtova të jap argumentet e këtyre pseve. Argumenti im kryesor mbështetet mbi tezën se Shqipëria, nën drejtimin e klasës së saj politiko-ekonomike, gjatë këtyre 25 vjetëve nuk ka bërë hapa para, qoftë edhe të ngadalta, në drejtimin e duhur, por ka ecur në drejtim të gabuar. Dhe, për pasojë, kjo ecje në drejtim të gabuar nuk e ka afruar përdrejt atyre që mund të quhen standardet europiane – që, me një togfjalësh të vetëm, mund të përmblidhen në “shteti i së drejtës”, – por e ka çuar gjithnjë e më shumë drejt një shteti të dështuar, të kapur nga oligarkia dhe krimi i organizuar, aq sa së fundi po quhet “narkoshtet”.
Si prova për këtë do të përmendja vetëm tri gjëra që më duken më domethënëset. Së pari, ekonomia shqiptare, që ka qenë gjithnjë e dobët, informale dhe e lidhur me krimin, gjatë viteve të fundit është mbështetur, si kurrë ndonjëherë më parë, në paratë e krimit të organizuar. Së dyti, mu për shkak të këtij fenomeni ekonomik, edhe politika shqiptare është bërë gjithnjë e më shumë përfaqësuese dhe menaxhere e interesave të krimit. Së treti, si rrjedhojë e dëshpërimit që ka krijuar ky proces degradues, numri i shqiptarëve që ikin nga vendi është rritur dramatikisht vitet e fundit.
Të mohosh këtë realitet me të dhëna të rreme apo pseudoreforma më duket punë e dobët, por, megjithatë, pyetja që shtrojnë disa dashamirës së Shqipërisë është: edhe në qoftë kështu, a nuk do të ishte më mirë që Shqipëria të futej diçka më shumë në ombrellën e BE-së, sepse kështu këto fenomene degraduese do të mund të frenoheshin më lehtë?
Gjykoj se kjo është një tezë serioze që meriton të diskutohet si brenda vendit, edhe në qarqet europiane që do të marrin vendim. Shpresoj që ky shkrim ta nxisë këtë diskutim që në Shqipëri po shtypet nga propaganda e Ramës që synon të kompleksojë opozitën edhe çdo kritik me akuzat se kritikat ndaj qeverisë apo Brukselit po pengojnë aspiratën e shqiptarëve për të hyrë në Europë; dhe po bëhen, medemek, nga antishqiptarë të shitur apo të blerë tek armiku.
Ruajtja e një vështrimi drejt Europës dhe standardeve të saj ka luajtur dhe luan një rol pozitiv për mosrrëshkitjen e Shqipërisë në realitete edhe më problematike, por gjykoj se hapja e negociatave, e pashoqëruar nga progresi i vërtetë në Shqipëri, do ta zhvlerësonte këtë perspektivë që, edhe kështu, ka humbur shumë me kalimin e viteve. Madje, gjykoj se një hapje e negociatave të Shqipërisë me BE në këto kushte do të kishte rrjedhoja më shumë negative sesa pozitive në terma afatgjata jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për projektin europian. Një nga rrjedhojat më negative të njohjes së një progresi të rremë do të ishte ajo se më shumë sesa një inkurajim për popullin shqiptar, kjo do të ishte një inkurajim për klasën politike që e ka katandisur vendin në këtë gjendje.
Sikurse dihet, fatkeqësisht, lufta për t’u legjitimuar nga Europa është shumë herë më e rëndësishme për klasën politike shqiptare sesa lufta për t’u legjitimuar nga populli i vet. Mjaft të kemi parasysh se gjatë gjithë kohës që është akuzuar nga opozita apo nga mediet për kanabizimin e Shqipërisë dhe pasojat e tij tragjike për shtetin, Kryeministri Rama ka përdorur si argument ndërkombëtarët: “Po të ishte kështu, pse nuk flet ambasadorja e BE-së, pse nuk flet ambasadori amerikan”. Një hapje e negociatave të Shqipërisë do t’i jepte Ramës refrenin e radhës për të mohuar e përgënjeshtruar çdo kritikë e çdo kundërshtar me pyetjen: “Po atëherë, pse na u hapën negociatat?” Dhe ç’është më e keqja, kjo do t’i jepte dorë më të lirë atij për të vazhduar procesin e vënies së shtetit që drejton në shërbim të interesave të veta e të një pakice oligarkësh, të krimit të organizuar me pasoja gjithnjë e më të pariparueshme jo vetëm për ekonominë, por edhe demokracinë dhe lirinë.
Por, prapë, do të ngulmonte dikush, hapja e negociatave do ta bënte më të frenueshëm këtë proces nëpërmjet mekanizmave të negocimit. Duke iu referuar edhe përvojës së deritanishme të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, gjykoj se, veçanërisht në kushtet ku ndodhet sot BE, fuqia e saj negociuese e korrigjuese është shumë e vogël dhe gjithnjë e më në zvogëlim sepse edhe autoriteti dhe legjitimiteti i saj është në rënie. Kjo duket edhe në pafuqinë e saj për të frenuar fenomenet antibashkim dhe autoritariste që po ndodhin brenda kufijve të saj aktualë. Shembulli i Turqisë që i ka hapur negociatat që më 2002 dhe ka bërë hapa dramatike prapa, mund të ishte një shembull tjetër. Në terma afatgjata, në kontekstin e një procesi të Bashkimit Europian të vënë gjithnjë e më në vështirësi nga prirjet antieuropianiste, nacionaliste, autoritariste, një Shqipëri me shtet të kapur nga krimi do të ishte një argument më shumë për të zhbërë projektin europian. Prandaj, ashtu siç e shikoj unë realitetin shqiptar dhe europian, Edi Rama dhe njerëzit që e mbështesin kanë nevojë, sa s’është vonë, të marrin nga BE ultimatume për gjendjen se si e kanë katandisur vendin dhe jo inkurajime dhe legjitimime. /panorama.com.al/