Të martën, në komisionin parlamentar të mediave, u zhvillua një diskutim gjysëm perfid dhe gjysëm i pafajshëm, ndërmjet deputetëve që i përkasin PS-së. Disa mbronin idenë se taksa për televizionin, që u merret shqiptarëve sëbashku me faturën e dritave, duhet shtuar dhe disa të tjerë, se ajo duhej të mbetej aq sa është: pra 1 mijë lekë të vjetra. Debati që në fakt mund të konsiderohet si një shfaqje mes atyre që i dinin qëllimet e mbrapshta të qeverisë dhe atyre që ishin braktisur në parëndësinë e harresës, u zhvillua ndërmjet njërës palë që pretendonte se taksa duhej paguar sipas numrit të aparateve televizivë që ka çdo familje apo biznes dhe palës tjetër që këmbëngulte se ajo duhet të ishte e nëjtë.
Por përtej kësaj përplasjeje, në sipërfaqe xhenuine, fshihet një nga projektet me djallëzore që po përpilohet në zyrën e kryeministrit. Ai është i thjeshtë: nëse deri më tani taksapaguesit e vendit derdhnin para vetëm për të financuar TV publik, ata këtej e tutje duhet të paguajnë dyfishin dhe më shumë, që pjesa e shtuar e parave të shkojë në xhepat e pronarëve të mediave private.
Tani është një “sekret publik”, nuk ka gazetar që nuk e di, se bosët kryesorë të mediave në vend kanë zhvilluar disa takime në zyrën e kryeministrit për të vënë në jetë projektin që i lejon atyre të pasurohen me taksat e shqiptarëve.
Natyrisht, kushdo e kupton që ky projekt i çartur është një grabitje e pastër. Kushdo është i ndërgjegjshëm se kjo është përpjekja e fundit për kapjen e televizioneve më të mëdhej në vend që edhe kështu siç janë, ngjajnë përditë e më shumë me ER TV. Kushdo s’mund të ketë asnjë dyshim, se kemi të bëjmë me një nismë që shkallmon tregun, ul edhe atë pak transparencë që ka mbetur dhe e bën qeverinë pronare reale të ekraneve kryesore të Shqipërisë.
Por, thënë këto, problemi është edhe me i rëndë.
Sepse ai lidhet me një strategji të qartë, të ravijëzuar që në fillim të pushtetit të saj nga klika ramiste, për t’i përqëndruar mediat vetëm në pak duar në mënyrë që t’i kontrollonte më lehtë.
Plot tre vite më parë, në maj të 2015, socialistët dolën në skenë me atë që shumëkush sot e ka harruar dhe që u njoh si amendamenti Balla. Atëherë, nën trysninë e lobeve të fuqishme mediatike, Taulant Balla propozoi shfuqizimin e nenit 62 të ligjit për mediat audiovizive.
Në thelb, ky nen promovonte pluralizmin në media. Ai ndalonte që televizionet kombëtare dhe platformat dixhitale të ishin nën kontrollin e një njeriu të vetëm (asnjë pronar nuk lejohej të kishte më shumë se 40%) për të mos i përdorur ato si kioska për përfitimet e familjes së vet biologjike, si shantazh për leje ndërtimi, koncesione etj.
Fakti që një eksponent i rëndësishëm i mazhorancës (natyrisht jo me kokën e tij) donte t’i vinte shkelmin këtij kushti thelbësor për lirinë e mediave, i alarmoi institucionet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli i Europës edhe OSBE ngritën zërin për përqëndrimin e pushtetit mediatik në dorën e një grupi të vogël njerëzish. Alarmet e tyre natyrisht nuk u shikuan dhe dëgjuan nga shumica e teleshikuesve shqiptarë, sepse pothuajse askush nuk i transmetoi ato.
Megjithëatë, shumica ramiste, falë presionit ndërkombëtar u duk sikur u tërhoq. Por vetëm përkohësisht. Atë nismë që s’e realizoi dot me dorën e deputetëve, Edi Rama e zgjidhi me ndihmën e gjyqtarëve, që sot i anatemon aq shumë. Për një nga turpet e saj më të mëdha, Gjykata Kushtetuese, të cilën sot po e shkërmoq vetingu, vendosi fiks ashtu siç kishte kërkuar Taulant Balla, ta shfuqizonte nenin e famshëm 62.