Ndërtimi i rrugës Qafë Thore- Theth ka marrë miratimin përfundimtar dhe më të rëndësishëm nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Boterore. Bashkia e Shkodrës ka aplikuar në vitin 2017 ne programin “Lidhja e Rrugëve Rajonale dhe Rurale” të Bankës Botërore me 3 projekte, ndërsa rruga Qafë Thore- Theth tashmë ka kaluar edhe vendimmarrjen e fundit.
Mbledhja e Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore është zhvilluar të mërkurën ku është miratuar projekti i ri me një financim prej 50 milion dollarësh, ku parashikohet rehabilitimi i 55 km rrugë me qëllim përmirësimin e aksesit në disa qendra bujqësore dhe turistike në vend. Po ashtu, projekti do të forcojë kapacitetet e bashkive për menaxhimin e aseteve rrugore.
Tre janë segmentet rrugore që do të rehabilitohen vitin e parë: Qafë Thore-Theth, Fier-Seman dhe Pogradec-Tushemisht Segmentet përshkojnë zona të njohura për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit. Rreth 80.000 banorë do të përfitojnë nga projekti.Ky është një lajm i mirë për banorët e Thethit por edhe për të gjithë Bashkinë e Shkodrës, duke vënë një gur të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit malor dhe zhvillimin e rajonit tonë në përgjithësi. /Marrë nga faqja zyrtare në Facebook e Bashkisë Shkodër/