Ish-shefi i antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani, i cili ndodhet për azil në Zvicër është përfshirë sot në debatet politike lidhur me deklaratat kritike të deputetit gjerman Gunther Krichbaum. Ky i fundit u shpreh se ishte skeptik sa i takon çeljes së negociatave për Shqipërinë. Pas deklaratave të deputetit të Bundestagut gjerman, të shumtë ishin edhe shqiptarët që komentuan në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, mes tyre edhe Dritan Zagani. Zagani i shkruan deputetit gjerman se ka të drejtë për çfarë është shprehur, pasi shqiptarët po qeverisen nga politikanë të korruptuar dhe të implikuar me trafiqe droge.
“Z.Gunther Krichbaum! E vërteta dhemb por keni plotësisht të drejtë! Mendoj se politikanët europianë duhet të jenë më shumë në gjendje për të ndihmuar popullin shqiptar, që të shpëtojnë nga kjo qeverisje, nga këta politikanë të korruptuar dhe narkotikë që sot komandojnë Shqipërinë. Të jeni të sigurt se populli shqiptar ju falenderon shumë për ndihmën tuaj në procesin e demokratizimit të vendit tonë,’’ shkruan Zagani.
Me herët deputeti gjerman i CDU teksa foli për rekomandimin e KE për të hapur negociatat me Shqipërinë, ka thënë se Shqipëria nuk është ende gati dhe se vendimi për të çelur negociatat është i parakohshëm.