Shtetasi i Shqipërisë, Vangjush Çerkezi 61 vjeç, gjatë ditës së djeshme u gjet pa shenja jete në banesën ku jetonte me qira në Prizren. Çerkezi punonte në projektin e Kalasë së Prizrenit dhe ishte skulptor me profesion.
Dje ai nuk ishte paraqitur në punë dhe kolegët e tij i kishin shkuar te banesa ku edhe e kishin parë atë pa shenja jete. Të njëjtit e kanë lajmëruar rastin në polici, përderisa ekipi i Emergjencës e ka konfirmuar vdekjen e viktimës.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha. Ai tha se trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion përderisa nuk janë vërejtur rrethana tjera të dyshimta.
“Një qytetar, skulptor me profesion, nuk është paraqitur në punë. Ai është gjetur afër tavolinës së punës në banesë pa shenja jete”, tha Haziri.
Express mëson se familja e të ndjerit ka prejardhje nga qyteti i Korçës dhe jetojnë në Greqi, ata janë informuar nga policia për vdekjen e Çerkezit.