Në një kohë kur prokuroria kërkoi zgjatjen e afateve të hetimeve për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, organi i akuzës e ka zgjeruar rrethin e personave që po pyeten mbi çështjen në të cilën është përfshirë emri i Tahirit. Sot, mësohet se është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda më shumë se tre orë truproja i ish-ministrit të Brendshëm.
Elvis Rexha, thanë burimet, ka folur përpara prokurorit Dritan Prençi pasi është pyetur për disa lëvizje që Tahiri ka kryer jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali.
Në këto dy vende, prokuroria ka dërguar letërporosi për të marrë informacione.
Gjithashtu janë pyetur këtë të hënë në Prokurori edhe disa banorë të fshatit Gjorm të Vlorës, ku ka origjinën i arrestuari Nezar Seiti, i ekstraduar në Itali, pasi konsiderohet një nga njerëzit kryesore të klanit Habilaj që trafikonte drogë nga Shqipëria.
Mësohet se gjithashtu edhe të afërm të Seitit janë marrë në pyetje.