Xhevahir Sukaj zgjodhi në janar të këtij viti të largo hej nga Partizani që luftonte për Europë për t’u rik thyer në vendlindje, atje ku Vllaznia ishte e destinuar të “notonte” në zonën e ftohtë. Sulmuesi shënoi vetëm dy herë në pjesën e parë të sezonit, ndërsa kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur, ka ndihmuar jo pak shkodranët me shtatë gola.
I kontaktuar dje, 30- vjeçari pranoi të fliste për disa nga temat më të nxehta, jo vetëm në Shkodrën e tij, por edhe më gjerë. Nga Partizani tek Tirana dhe deri te Skënderbeu. “Jemi në stres çdo javë, por nuk do të biem nga Superiorja. Nuk bëhet Vllaznia si Tirana”, ka thënë bomberi shkodran, që sezonin e tij më të mirë në Superiore e ka me fanellën e kuqe, teksa shënoi 21 gola në kampionatin e dy viteve më parë.
U rikthyet në Shkodër, por duhet të luftoni për të shpëtuar ekipin nga rënia. Keni qenë ndonjëherë më në stres se kaq te Vllaznia?
Rikthimi im në Shkodër ishte i domosdoshëm, duke parë situatën që ishte Vllaznia. Këtë ma kërkuan shumë ish-lojtarë të Vllaznisë, me të cilën unë kam luajtur edhe disa vite më parë. Të them të drejtën, përqendrimi dhe mobilizimi nga ana ime ka qenë më tepër se në çdo vend tjetër ku kam luajtur, sepse ky shërbim që i bëj ekipit është moral dhe mbi të gjitha për qytetin e Shkodrës. Sigurisht, stresi dhe presioni ka qenë i vazhdueshëm, e veçanërisht në fitoren e fundit ndaj Laçit, ku na duhej më shumë se kurrë të dilnim me tri pikë.
Vllaznia ka pasur shumë oshilacione këtë sezon. Si ka mundësi që ekipi bën ndeshje shumë të mira dhe pastaj zhgënjen totalisht? Madje, sipas një thënie të Hamdi Salihit, kjo Vllazni është e paparashikueshme…?
Janë krejt normale oshilacionet në një ekip që është në një situatë të tillë, pra duke luftuar për të mos rënë nga kategoria. Kjo që po i ndodh Vllaznisë, u ndodh edhe ekipeve që janë pretendete për të fituar titullin, e jo më atyre që thjesht duan të mbijetojnë. Mirëpo, tani jemi në një moment që nuk na falen më oshilacionet. Shpresoj dhe mendoj se do të jemi të karikuar maksimalisht për pesë ndeshjet që na kanë mbetur, të cilat natyrisht janë të gjitha si një finale.
Në sezonin e kaluar zbriti nga Superiorja klubi rekordmen i Shqipërisë, Tirana. Ju tremb fakti se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Vllazninë?
Të them të drejtën, kur ra Tirana sezonin e kaluar, mua më erdhi shumë keq, sepse është nga ato ekipe që e zbukuron kampionatin. Mos harroni që këtij sezoni i mungoi derbi Partizani-Tirana, që është gjëja më e bukur që ka kampionati shqiptar. Tani më bëhet qejfi që Tirana u rikthye përsëri në Superiore, por mua dhe Vllaznisë nuk ka pse na trembë ky precedent. Nuk është e thënë që ra Tirana vitin që kaloi dhe do të zbresim nga Superiorja edhe ne këtë sezon. Besoj se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Cila mendoni se është ndeshja më decizive për ju nga pesë që kanë mbetur?
Finale i kemi të pesta ndeshjet, sepse të njëjtën rëndësi kanë. Megjithatë, ndeshja direkte me Kamzën që e luajmë në Shkodër, mendoj se do jetë më e rëndësishmja, por jo se do të vulosë gjithçka.
Në këto vitet e fundit është folur shumë për rrogat që jepen me vonesë te Vllaznia. Sa ndikon kjo në situatën ku ndodhet skuadra?
Si në çdo klub të Superiores, edhe këtu ka vonesa me pagesat. Mirëpo, e sigurt është se çdo rrogë merret nga bashkia, nuk mbahet asgjë.
Në disa ndeshje jeni parë shumë i nervozuar. Pse?
Po, ka pasur ndeshje që kam qenë i nervozuar edhe nga fakti që na duhen pikët me tepër se asnjëherë tjetër. Gjithashtu, edhe nga presioni i disa tifozëve që kemi pasur gjatë ndeshjeve.
Në këtë periudhë është folur shumë për mbështetjen e deputetit Tom Doshi, por gjithashtu ka qarkulluar edhe emri i ish-presidentit të klubit, Valter Fushaj. Si është e vërteta e premiove?
Është e vërtetë ajo çfarë është folur. Ne si lojtarë kemi marrë premio sa herë kemi fituar nga deputeti Tom Doshi.
Jeni takuar ndonjëherë?
Po, ka ardhur një herë na ka takuar dhe na ka premtuar mbështetje deri në fund të sezonit. Mendoj se është për t’u vlerësuar kjo mbështetje.
Këtë javë luani në Vlorë, ndërsa kundërshtarët tuaj, si Kamza dhe Teuta, respektivisht ndaj Luftëtarit dhe Partizanit. Çfarë prisni të ndodhë?
Si Vllaznia, Kamza apo Teuta, janë në të njëjtën shkallë vështirësie këtë javë. Nuk shikoj asnjë ekip të favorizuar që ta ketë më të lehtë këtë javë. Gjithsecili ka riskun e vet dhe besoj se do marrë atë që do të japë në fushë.
Në luftën për mbijetesë kujt u druheni më tepër, kundërshtarëve direktë, aleancave apo arbitrave?
I druhem vetëm ekipit tim. Aleanca dhe dëme nga arbitrat nuk mendoj se ka. E rëndësishme për Vllazninë është që të jetë në nivelin që i kërkohet. Besoj se kjo mjafton për të siguruar mbijetesën.
Të flasim pak për Partizanin. Në janar u bë një revolucion, ku ju ishit një prej të larguarve. Mirëpo, situata mbeti thuajse e njëjtë dhe tani të kuqtë rrezikojnë Europën…
Të jem i sinqertë, edhe kur ishim ne që u larguam në janar, prapë kishte oshilacione skuadra. Nuk besoj se largimi ynë e ka dëmtuar Partizanin. Unë jam i mendimit që do të vijë koha që Partizani do të jetë ekipi që do të bëjë diferencën në Shqipëri.
OK, por u bë 25 vite pa titull…?
Mbajeni shënim këtë që po them. Siç po bën Skënderbeu në këto 8 vite, ashtu do e bëjë edhe Partizani në të ardhmen. Në fakt e kam thënë këtë gjë me kohë dhe e them prapë, sepse e di se çfarë projekti ambicioz ka klubi i Partizanit për një të ardhme të sigurt.
E shihni në Ligën e Europës apo mendoni se mund të mbetet jashtë?
Mendoj se Partizani do të jetë pjesë e Ligës së Europës. Ka më tepër shanse në krahasim me rivalët, edhe pse do të jetë jo pak e vështirë.
Ju jeni një nga sulmuesit që akademia Vllaznia ka prodhuar në vitet 2000. Çfarë i sugjeroni për të ardhmen një lojtari si Guri, që këtë sezon po shkëlqen te Kukësi dhe kryeson listën e golashënuesve?
Dihet që Shkodra ka nxjerrë talente përherë dhe do të prodhojë sërish në të ardhmen. Gjithsesi, unë mendoj se Vllaznia nuk e bëri futbollist Gurin. Vërtet ai u rrit në Shkodër, por Vllaznia nuk ia dha mundësinë që të bëhet ky që është tani. Mendoj se ka merita edhe Kukësi në zhvillimin e Gurit. Është një sulmues me të ardhme të ndritur përpara dhe i sugjeroj të ndjekë shembullin e Salihit, që bëri shumë mirë jashtë Shqipërisë, duke u larguar në kohë nga kampionati ynë.
Cili është pengu juaj më i madh në karrierën e deritanishme?
Nuk jam tip që pendohem për atë që kam bërë në karrierë, por një peng ose një betejë të humbur mund ta quaj, që nuk arrita të luaj disa ndeshje me Kombëtaren A. I kam pasur mundësitë dhe për më tepër që jam grumbulluar që në moshën 17-vjeçare. Por, realisht kualifikimi në Europian i Kombëtares sikur ma ka hequr këtë peng që më ka mbetur.
Me sa gola do të ishit i kënaqur ta mbyllnit këtë sezon?
Edhe kaq gola sa kam bërë, do isha i kënaqur, vetëm e vetëm që të arrijmë objektivin që kemi me Vllazninë, qëndrimin në Superiore.
Në ndeshjen e fundit ndaj Laçit, pak minuta para startit të saj, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, deklaroi se Vllaznia fiton 1-0. Kur e mësuat këtë parashikim, çfarë menduat?
E lexova deklaratën e Mziut, por edhe pse nuk më takon mua t’i kthej një përgjigje, dua të them diçka. Personalisht, kam parë që brenda në Shkodër kemi shumë dashakeqës të ekipit. Logjikisht i bie që kur kemi në qytetin tonë njerëz që duan ta shohin ekipin një kategori më poshtë, si mund të kemi dashamirës jashtë Shkodrës që mund të na ndihmojnë?! Më duket absurde kjo histori. Në ndeshjen me Laçin kemi qenë në ankth deri në minutën e fundit për rezultatin.
Si e shpjegoni faktin se thuajse çdo trajner që drejton Vllazninë ankohet vazhdimisht për presionin asfiksues që rrethon klubin?
Në Shkodër realisht trajnerët e kanë shumë vështirë të punojnë. Ka shumë faktorë që ndikojnë për keq. Këtu në qytetin tonë të dashur, akoma duan që të bëhen futbollist me zor. Dua të jap një shembull për vëllain tim, Mirsadin. Ai ka luajtur deri në Kategorinë Superiore me Laçin dhe Shkumbinin. I kishte mundësitë që të ishte lojtar mesatar, por nuk kishte perspektivë për më lart. E detyrova ta linte futbollin dhe t’i përkushtohej diçka tjetër në jetë. Kjo i shërbeu për mirë, sepse sot që po flasim është bërë një kuzhinier shumë i zoti.
Një koment për çështjen “Skënderbeu”?
Nëse do të mbetet në fuqi dënimi nga UEFA, do të ishte fatale për të gjithë futbollin në Shqipëri. Më vjen keq, sepse Skënderbeu ka rritur nivelin e pjesës së futbollistëve që luajnë në vendin tonë. Unë shpresoj që të mos dënohet dhe të shohim sezonin tjetër 5-6 ekipe pretendente për titull.
Mendoni se do të bëhet më i fortë kampionati?
Patjetër, sepse rikthehet Tirana. Edhe Vllaznia mendoj se nëse qëndron në Superiore, do të jetë pretendente në sezonin tjetër. Pastaj është Partizani, Kukësi etj. Jam i bindur që do të bëhet një kampionat shumë më i bukur se ky aktuali. /panorama.com.al/