Në vetëm dy ditë ka shkuar në tre numri i personave që kanë rënë pre e sulmeve të qenve të rrugës. Pas rastit fatal të shënuar në Elbasan, ku një 58-vjeçar humbi jetën si pasojë e kafshimit të qenve dhe atij te “Myslym Shyri” në Tiranë ku një i ri përfundoi në spital, dje është shënuar një tjetër rast i rëndë i sulmit të qenve.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Bulqizës, ku si pasojë e sulmit të qenve të rrugës, një 28-vjeçare ka pësuar dëmtime të rënda. Mediat kanë raportuar se 28-vjeçarja është transportuar për në spital, ku dhe ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
E njëjta problematikë shfaqet tashmë edhe në Tiranë, ku qentë e rrugës janë bërë problem për shumë qytetarë. Pranë Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në një vit janë referuar mbi 1 mijë raste të kafshimit të qenve të rrugës, ndërkohë që prej 2 vitesh Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt për vaksinimin dhe sterilizimin e tyre.