Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në burg dy ditë më parë Mario Meshinin, njërin prej të arrestuarve për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë.
“Panorama” zbulon ekspertizën kriminalistike që tregon se në të dyja armët e tipit pistoletë të gjetura në vendngjarje, nuk ka gjurmë gjaku apo gishtash që i përkasin Mario Meshinit.
Sipas dosjes hetimore, në vendngjarje u gjetën dy pistoleta të tipit “Glock”, ku njëra prej tyre ishte e pa shkrepur. Mirëpo, sipas aktespertizës, kryer më datë 26 mars 2018, në asnjërën prej armëve nuk ka gjurmë të Mario Meshinit.
Për armën e parë, në ekspertizë shkruhet:
“Profili gjenetik i përftuar nga kampion pështyme i shtetasit Mario Meshini, ekzaminuar me akt të veçantë Nr. 3405 është i ndryshëm nga profili gjenetik miks, i përftuar nga mbetjet humane në pistoletën “Glock”, me nr seria LXD 597, ekzaminuar me aktin Nr. 2262 datë 22.02.2018”.
I njëjti rezultat del edhe për armën e dytë:
“Profili gjenetik, i përftuar nga kampion pështyme i shtetasit Mario Meshini, ekzaminuar me akt të veçantë Nr. 3405 është i ndryshëm nga profili gjenetik miks i përftuar nga mbetjet humane në pistoletën “Glock”, me nr. Serial CGF 552, ekzaminuar me aktin Nr. 2262 datë 22.02.2018”
Mario Meshini ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes kur ndodhi vrasja dhe sipas Prokurorisë. Ai mohon të ketë lidhje me atentatin dhe ka thënë në organet hetimore se atentatorët ia drejtuan armën edhe atij pasi qëlluan Kasmin.
Për vrasjen e Kasmit, si ekzekutor dyshohet se është shtetasi grek Efthymios Efthtmiou, ndërsa si organizator i atentatit, dyshohet shtetasi Aurel Hoxhallari, që është ende në kërkim.