Policia vendore e Shkodrës, menjëherë pas informacionit për plagosjen, ka shkuar në vendngjarje. Pas veprimeve të para të grupit hetimor është mësuar se autor i dyshuar i plagosjes është shtetasi Artur Lini, 43 vjeç, banues në Bërdicë. Efektivët janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar teksa po punohet për gjetjen dhe ndalimin e tij. “Ngjarja ku mbeti i plagosur Xhevat Vataksi ndodhur në afërsi të fshatit Darragjat në aksin Shkodër-Velipojë”, bëri të ditur Policia.
Sipas të dhënave, grupi i hetimit ka arritur të ngrejë edhe dyshimet e para mbi ngjarjen e ndodhur. Paraprakisht, grupi hetimor konfirmoi se i plagosuri Xhevat Vataksi është një biznesmen ndërtimi në Shkodër, i cili operon prej vitesh në këtë fushë, duke shtrirë aktivitetin e tij në qytet dhe rrethinat e saj.
Sipas burimeve policore, shkak i plagosjes mund të jetë bërë një debat për pronësi. Kjo, pasi firma e ndërtimit në pronësi të të plagosurit është e kontraktuar për rikonstruksionit e lotit të parë në aksin Shkodër-Velipojë.
Konkretisht, Vataksi ka pjesën nga Bërdica deri në fshatin Trush. Kjo është një pjesë rruge, e cila sipas projektit do të devijohet nga e vjetra për të shkurtuar distancën. Edhe më përpara, banorët e asaj zone kanë pasur debate të ndryshme për shkak të shpronësimeve. Disa pretendojnë të marrin shpronësime, sepse rruga e Velipojës në atë pjesë kalon në tokat e tyre, ndërsa disa të tjerë kërkojnë një ndryshim të projektit pikërisht për të mos prekur pasuritë që kanë.
Edhe autori i dyshuar Artur Lini, përveç një lokali që ka në Bërdicë, dyshohet se ka edhe një pjesë të tokës ku do të kalojë rruga e re e Velipojës. I plagosuri dhe autori i dyshuar, sipas burimeve, kanë bërë një debat mes tyre për shkak se ky i fundit nuk lejonte punimet në tokën e tij.
Pas debatit mes tyre, pronari i tokës, por njëherazi edhe i një lokali ka nxjerrë një armë zjarri, duke qëlluar plot katër herë në drejtim të Xhevat Vataksit. Ai mori katër plumba në gjymtyrët e poshtme, por, fatmirësisht, nuk i kanë rrezikuar jetën.
AUTORI Sipas burimeve policore, autori i dyshuar Artur Lini dhe i plagosuri Xhevat Vatak
si në momentin e ngjarjes kanë qenë vetëm me njëritjetrin. Por paraprakisht dyshohet se ai ka disa pretendime ashtu si pjesa më e madhe e banorëve lidhur me rrugën ku do të kalojë aksi i Velipojës.
Nga ana tjetër, firma e nënkontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka në zbatim pjesën Bërdicë-Trush i ka bërë të ditur banorëve se nuk mund të devijojnë projektin e përcaktuar dhe se shpronësimet duhet që t’i bëjë qeveria shqiptare. Debati mes tyre ka vijuar derisa shtetasi Artur Lini dyshohet se ka qëlluar me armë Xhevat Vataksin duke e lënë të plagosur.
Dhjetëra forca policie janë vënë në ndjekje të tij, por deri në orët e vona mbrëmë, nuk ishte bërë e mundur kapja dhe arrestimi i tij. Grupe të FNSH-së, Shqiponja, por edhe efektivë të tjerë po punojnë për të gjetur vendndodhjen e autorit të dyshuar Artur Lini.
Nga ana tjetër, mësohet se në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i gatshëm i Shkodrës dhe bashkë me Policinë po kryejnë veprimet. Grupi hetimor pas veprimeve në fshatin Darragjat ku ndodhi plagosja po punon për të zbardhur të plotë këtë ngjarje. /Nga Senad NIKSHIQI/