Flet ish-drejtori i Ndërmarrjes “17 Nëntori” Tiranë, Seit Alikaj: Enver Hoxhën e kam takuar pesë herë. “Do t’i jepni një ndihmë të madhe partisë po të thoni një emër të atyre që unë i kam quajtur rrufjanë politikë”, na thoshte.
Një kryeministër komunist që këndonte dhe hidhte valle labçe dhe një udhëheqës, i cili kërkonte të nxirrte prej vartësve me çdo kusht emrat e atyre që sipas tij, e cenonin pushtetin e asaj kohe. Kështu i sjell sot ndërmend, Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën, Seit Alikaj, një agronom i lartë, i cili pati rastin të takohej disa herë me ta gjatë viteve të punës. Në një rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press”, ai tregon sesi me Enverin është takuar pesë herë. Teksa shton më tej edhe detaje të ecurisë së bujqësisë shqiptare në ato vite, por edhe nga mësimdhënia në Institutin Bujqësor, një vatër kjo arsimore për shumë breza që hodhën themelet e saj …
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi
Cilat janë mbresat e Seit Alikajt nga jeta në shkollën e lartë?
Instituti Bujqësor na dha çelësat e jetës. A mund të harrohet njeriu që të gjendet kur je në udhëkryq të jetës? Ky njeri për mua është rektori Gaqo Tashko. Isha mprehur të vazhdoja studimet e larta në Bullgari, por prishja e marrëdhënieve me vendet e Lindjes (1961) më la në rrugë të madhe; as punë dhe as shkollë. Kishin kaluar dy muaj në vitin mësimor 1961-1962 kur u nisa nga Kuçi në Tiranë, drejt dhe te sekretari i partisë të ILB-së, Rifat Meta, i cili më drejtoi tek zyra e rektorit. Më dëgjoi me vëmendje të madhe shkëmbyem ndonjë dialog të vogël dhe në fund më tha se do të bëhesha agronom i lartë.
U zgjidh edhe e ardhmja ime si me “dues ex machine” të dramave të lashta. Ai fliste dhe më kujtoheshin praktikat e frutikulturës në vitin e katërt që bëheshin në Laprakë, në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov”, ku na mësonin Andon Ikonomi, Syrja Frashëri, Abedin Çiçi, Tajar Nazifi. Vitet e shkollës së lartë më bindën se unë kisha rënë në duart e një personalitetit të kompletuar si njeri dhe shkencëtar, e një figure model për jetën. Veçoj Vasfi Samimin, pedagogun e zooteknikës. Ai na tregonte aspektet edhe nga jeta e tij, për origjinën shqiptare, për kthimin e tij në Shqipëri së bashku me Bilal Golemin për ngritjen e blegtorisë shqiptare etj.
Pse ndikonte fuqishëm?
Çdo 7 prill ai ndërpriste mësimin dhe fliste për pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italianë, të cilin e dënonte me gjithë qenien e tij. Ishte një sportist i kompletuar, notar, futbollist. “Në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar dhe ekzekutimin e himnit, përjetohen emocionet më të fuqishme, – na thoshte profesori, – të rrjedhin lot gëzimi dhe krenarie”. Këto ne i thithnim si patriotizëm të kulluar dhe vlerësonim aftësitë e forcën edukative, në ballkaniadën e parë ai doli kampion i notit dhe u ekzekutua Himni i Flamurit. Gjatë kampionateve botërore, ai në dërrasë vizatonte një trekëndësh në majë të të cilit vinte ata që ishin yje: Pele, Garinça, Pushkash etj.
Në mes vinte ata që nuk ishin yje, jashtë linte ata që nuk meritonin të luanin. Na tregonte edhe “këndin e vdekur” të portës, ku gjuajtja ishte 90% gol. Na ka shoqëruar edhe në stadium, duke u përpjekur të na luftojë tifozllëkun e sëmurë dhe përpiqej të na kultivonte sensin e analizës dhe përjetimit racional të ndeshjes. Në një rast, më kujtohet, kur Mexhit Haxhiu gjuajti, qëkur topi ishte ende në ajër, profesori i tha se ky do të ishte gol. Dhe ashtu ndodhi. Në një rast tjetër, ai na tha se Panua gjuan në “këndin e vdekur” të portës dhe bën gola.
Pas kësaj, ne ndiqnim ndeshjet duke kërkuar racionalen në lojën e bukur dhe shmangnim dridhjet e tifozllëkut. Më tej. Pasioni i profesor Samimit shprehej qartë në leksionet e zooteknikës. Për kafshët ai dinte shumë, por më shumë i donte. Veçonte kalin, që ka bërë evolucionin më të madh, duke debutuar edhe si artist i arenave të cirkut. Me ndjenjë fliste për kalin e racës Arabe të cilin, na thoshte ai, e ka seleksionuar shqiptari Mehmet Ali dhe pak a shumë ka mbetur po ai. Shprehej hapur si Morganist dhe përkrahës i teorisë së trashëgimisë e jo asaj të faktorit natyral. Ne si studentë dëgjonim me shumë interes debatet që bënte me Teki Tartarin, që kishte studiuar në Bullgari dhe aty kishte marrë edhe dy diploma, pedagog i gjenetikës, një shok i mirë i studentëve, sportist edhe ky (basketbollist dhe alpnist).
Dua të kujtoj këtu edhe bisedat që na bënte profesori për Aleksandër Moisiun, të cilin e kishte takuar tre herë gjatë studimeve në Gjermani dhe kur tregonte për të, gati i imitonte rolet. Ai bënte edhe shaka. Në atë kohë luanin rolin e Hamletit tre aktorë nga të Teatrit Popullor. Ai na thoshte: “dy t’ua shesim të tjerëve se na mjafton një”. Shpesh profesori na shoqëronte në shfaqjet e premierave teatrale, duke parë dhe biseduar të nesërmen për artistët e mëdhenj: Naim Frashërin, Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Lazër Filipin, Kadri Roshin, Ndrek Lucën, Behije Çelan dhe shumë të tjerë.
Po pedagogë të tjerë që ju tregonin për botën dhe gjëra interesante që kishin parë rreth saj?
Dua të them dy fjalë edhe për Alaudin Frashërin, këtë pedagog të shkëlqyer, që ishte në gjendje të kolaudonte me shikim teodolitin. I kërkonim gjatë praktikave të na tregonte edhe diçka nga jeta e tij, disi e veçantë dhe ai nuk përtonte. “Në Vjenë vazhdoja studimet dhe natën punoja në asfaltimin e rrugëve të saj. Përfundova shumë mirë. Profesori më mbajti asistent të tij dhe madje e zëvendësoja atë për të dhënë disa leksione në disa universitete të kryeqyteteve të Evropës, pasi profesori im u shmangej udhëtimeve me avion”, na thoshte.
Ai tregonte gjithashtu edhe për nivelin e lartë kulturor të popujve skandinavë. Ata për shembull, vinte në dukje ai, që para Luftës së Dytë Botërore, prodhimet bujqësore e blegtorale i grumbullonin në një pikë të caktuar, ku transportuesi apo blerësi i merrte pa prezencën e prodhuesit, të cilit i dërgonte pastaj paratë. Në këto vende nuk njihej vjedhja dhe i dënuari i fundit ishte liruar para 100 vjetësh. Por profesori, fatkeq do ta quaja, u kthye në atdhe për të zbatuar reformën agrare në vitet 1945-1946, me një ish-grua të ve (burri i parë ishte bërë i vdekur në luftë) dhe me djalin e vet. Por austriakes i doli i gjallë burri dhe ai erdhi në Tiranë, duke marrë gruan bashkë me djalin. Edhe martesa e dytë nuk i shkoi mbarë. Kënaqësia dhe sadisfaksioni i vetëm i këtij profesori mbeti puna pedagogjike, lidhja me rininë studentore, vëmendja, respekti dhe dashuria jonë për të, që ai e meritonte dhe nuk i mungoi nga shumë breza studentësh.
Kur mbarove shkollën, ku u emërove? Si e prite emërimin?
Në shkurt të vitit 1966 shkova në Kuç, ku do të punoja si agronom i lartë, i pari me shkollë të lartë me një ekonomi bujqësore me pak tokë arë. Dërgimi i im si agronom në fshatin e lindjes e ka origjinën nga kërkesa që i bënë bashkëfshatarët Hysni Kapos më 29 nëntor 1965 dhe ai e mbajti premtimin. Unë punova për shumë vjet në vendlindje. Në fshat hodha bazat shkencore në kultivimin e bimëve, sigurimin e bukës në këtë zonë malore duke përdorur agroteknikë të lartë ne kulturën e bimëve. Nga 8-10 kv/ha që merrej në kulturën e grurit u arrit që të merrej 35-40 kv/ha, ndërsa në misër nga 25-30 kv/ha arriti të merrej 65-70 kv/ha në të gjithë sipërfaqen që mbillej me këtë kulturë.
Po me Mehmet Shehun kur je takuar? Si u shpreh ai për rezultatet e arritura?
Në tetor 1966, në Ramicë kuadrot dhe specialistët e Kurveleshit të poshtëm dhe të Mesaplikut, i kërkoi në takim kryeministri Mehmet Shehu, i cili për plotësimin e detyrave që kishte lënë një vit më parë lidhur me prodhimin e bukës në vend për çdo ekonomi bujqësore, me një gëzim të papërshkruar, me humor dhe me këngë falënderoi gjithë popullin dhe kuadrot e ekonomive që realizuan këtë objektiv.
Çfarë të ra në sy tek Mehmet Shehu?
Në drekën e shtruar, Mehmeti këndonte e hidhte valle labçe, bashkë me të pranishmit. “Kurrë nuk e besoja se do arrinit këto rezultate”, tha Mehmeti. Ndërsa Enver Hoxha për këto rezultate në prodhimin bujqësor kishte thënë: “Bravo Kuçi që e mban lart flamurin e Partisë, si dje në luftë dhe sot”. Në Kuç u rrit prodhimi i patateve, të cilat i mbollëm edhe në male si në Papadhi, Valth, etj; shtratifikimi i patates së prodhuar në fushën e Papadhisë dhe mbjellja si farë në pranverën e vitit 1967. Nga blloku i mollëve u morën në çdo vit 2000-3000 kv, nga ai i qershive 2000 kv, si dhe nga domatja e mesme dhe e vonë u morën 2000 kv, arra 500 kv etj. Kështu që bujqësia i rriti të ardhurat disa herë në vit, duke garantuar vlerën e ditës së punës prej 180 lekë.
Si dhe pse u largove nga Kuçi?
Fillimi i muajit shtator 1969 do të sillte largimin nga Kuçi dhe fillimin e një pune të re. Byroja e partisë së Vlorës vendosi që unë të emërohesha Sekretar i Parë i Komitetit të Bashkimit të Rinisë të rrethit.
Aksionet ishin fjala e ditës në atë kohë, mund të na përcillni disa të tilla të sistemit monist?
Veçoj aksionin e sistemimit, tarracimit dhe mbjelljen e agrumeve (portokall, mandarina, limona e ullinjve), pemëve frutore pjeshkë në Orikum e Vreshtin në Rradhimë, ku u bë një punë e madhe nga e gjithë rinia e vendit, por edhe ajo e Vlorës dhe këto territore të mëdha brigjeve mbi det u bënë një model për kultivimin e këtyre bimëve. Në 10-vjetorin e çeljes së këtij aksioni kombëtar të rinisë morën pjesë shumë kuadro drejtuese, ku në Jonufër erdhi edhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Piro Dodbiba, Adil Çarçani, Agim Mero dhe drejtuesit e rrethit Petro Dode e Sihat Tozaj, të cilët vlerësuan punën e bërë nga rinia pasi limonët, mandarinat, portokallët ishin zhvilluar dhe ishin futur në prodhim, por përshtypje të madhe bëri dhe blloku i pjeshkëve të Orikumit, të cilat furnizonin tregun e Vlorës me fruta të cilësisë së lartë.
Ndonjë aktivitet tjetër që u zhvillua në Vlorë?
Në Vlorë, një punë e veçantë u bë për njohjen e historisë së të parëve. Kështu, për luftën e Vlorës 1920 u zhvilluan shumë aktivitete, ku në Barcalla u vendos pllaka tek burimi ku u mblodh Komiteti i Shpëtimit Kombëtar. Në Qafë të Llogorasë, po ashtu u vendos pllaka ku u zhvilluan luftime; në Beun u organizua takimi ku u mblodhën luftëtarët dhe me rastin e 50-vjetorit të kësaj lufte në vitin 1970. Kurse në teatrin “Petro Marko” u zhvillua mbledhja solemne ku i deleguari i qeverisë, Beqir Balluku shpalli Heronj të Popullit Zigur Lelon, Kanan Mazen, Sali Vranishtin e Sado Koshenen. Po ashtu, u shpall Hero i Popullit edhe Memo Meto. Për njohjen e historisë së vendit u organizuan shumë aktivitete siç ishte ai që 50 të rinj përfaqësues të rinisë vlonjate u takuan në Shtëpinë e Partisë në Tiranë me Hysni Kapon, i cili vlerësoi dhe dha porosi që rinia po nuk e njohu historinë e gjeografinë e vendit nuk dashurohet më të.
Po para Enver Hoxhës a ke folur? Sa herë e ke takuar atë?
Enver Hoxhën e kam takuar pesë herë. Për herë të parë, e takova për rezultatet e arritura si i ri komunist, ku fola në zyrën ku mblidhej Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë dhe ai i vlerësoi diskutimet e mia të dyja herët, që u thirra në këto mbledhje nga Vlora dhe fola në zyrën e Enver Hoxhës në prezencë të tij. Por edhe në tetor të vitit 1972, në Durrës në Pallatin e Sportit, ku u zhvillua Kongresi i Rinisë së vendit.
Kur erdhe në Tiranë?
Ishte viti 1972 kur më emëruan në Komitetin Qendror të Rinisë. Më 23 shkurt 1973, u thirrëm në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ku Enver Hoxha shtroi disa pyetje, të tilla si, kush është më i rrezikshëm, liberalizmi apo konservatorizmi. “Do t’i jepni një ndihmë të madhe partisë po të thoni një emër të atyre që unë i kam quajtur rrufjanë politikë”, tha gjithashtu ai, në mbledhjen, e cila përgatiste opinionin e vendit për analizat që do të bëheshin në të gjitha fushat e jetës, të tilla si në ideologji në ushtri, apo në ekonomi.
Po jashtë shtetit, a ke shkuar në aktivitetet e Rinisë Komuniste Botërore?
Po, kam qenë pjesëmarrës në delegacionin e Rinisë në Kongresin e Studentëve të Afrikës së Zezë në Paris, në 25 dhjetor 1973, kur vu caktova si i deleguar, së bashku me Arqile Seminin, shef i sektorit të jashtëm të Komitetin Qendror të BRPSH-së. Në Paris, na pritën në ambasadën tonë dhe z.Javer Malo, ish-ambasador. Më pas, arritëm në Zanzibar, ku morëm pjesë në përurimin e 10-vjetorit të pavarësisë së ishullit. Gjatë rrugës, pamë aeroportin e Zyrihut, të Zagrebit, të Lublianës, të Beogradit, të Titogradit, të Pireut, të Kajros të Egjiptit, të Hartumit të Sudanit, të Nairobit të Kenias, të Adis Abeba të Etiopisë dhe të Dar el Salamit të Tanzanisë.
INCIDENTI
Si na ndaluan si delegacion në doganën e Hanit të Hotit, kur ktheheshim nga Beogradi
“Një ndodhi në doganën e Hanit të Hotit, Shkodër. Në mes të janarit 1974 delegacioni i Rinisë u kthye nga Beogradi, në Titograd (Podgoricë) dhe pastaj në kufi në doganën e Hanit të Hotit. Për të na marrë kishte dalë një veturë e aparatit të Komitetit Qendror të BRPSH-së. Aty, për çudi kontrolluan me imtësi valixhet dhe pakot që më përkisnin mua. Nga kontrolluesit burokrat e servilë u tha se konstatoheshin bagazhe më tepër sesa norma, që sipas tyre përbënin shkelje të rregullave dhe për këtë, u njoftuan deri forumet e larta të partisë, meqenëse ishte fushata për të luftuar kundër liberalizmit. U dhanë orientime nga Jovan Bardhi që të mbaheshin qëndrime ekstreme, megjithëse ai dhe shumë drejtues si ai nuk i konsideronin shkelje kalimin pa doganë të shumë pajisjeve elektro-shtëpiake si televizor me ngjyra, frigoriferë e lavatriçe etj., kur i sillnin vetë nga jashtë. Por kishte drejtues si Lumturi Rexha dhe sekretari i organizatës Arqile Semini, që këtë shkelje minimale të Seitit nuk e konsideronin asgjë të jashtëzakonshme dhe si rrjedhojë, nuk u mbajt asnjë qëndrim. Edhe Bajram Muça, drejtor i përgjithshëm i doganave pas rivlerësimit që i bëri kontingjentit të ndaluar i ktheu menjëherë sendet që padrejtësisht ishin ndalur dhe që më kot ishin bërë problem. Për kuriozitet, sendet e tejkaluara në doganë ishin porosi e dhënë nga studentët jashtë që kujtonin me to prindërit në Tiranë.