Avokati i Izet Haxhisë, Fran Dashi ka folur për ekstradimin e ish-truprojës së Sali Berishës i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit dhe i dënuar me 25 vite burg në mungesë. Në një lidhe telefonike për “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në “News24”, avokati i Fran Dashi shpjegoi hapat që do të ndiqen pasi të takohet nesër me klientin e tij.
I pyetur nëse kanë prova të reja për të rihapur çështjen, avokati i Haxhisë nuk dha detaje, por theksoi se “Në kohën e duhur dhe në momentin e duhur do të mësojmë shumë gjëra!”.
PJESE NGA BISEDA
Vasili: E keni takuar klientin tuaj?
Dashi: Jo nuk e kam takuar, shtetasi Haxhiaj është ekstraduar sot nga Turqia dhe është akomoduar në burgun 202 dhe për shkak të lodhjes e kemi lënë për tu takuar nesër.
Vasili: Veprimi i parë procedurial që do bëni ju si avokat?
Dashi: Unë jam një përfaqësues ligjor, nuk jam politik. Komentoj vetëm anën proceduriale, nga ana politike nuk e marr përsipër. Do bëjmë më të mirën e mundshme, si pikënisje kemi për të shkuar drejt rihapjes së hetimit, pasi Izet Haxhia është gjykuar dhe dënuar në mungesë. Nuk është pyetur asnjëherë nga trupi gjykues.
Vasili: A është kjo një arsye për tu rihapur çështja?
Dashi: E parashikon ligji dhe e lejon ligji.
Lala: A keni informacion nëse ministri i Drejtësisë së kohës, z.Rusmajli ka dhënë garanci se do ti rihapet dosja Izet Haxhisë nëse do të ekstradohej nga shteti turk drejt Shqipërisë?
Dashi: Dua të jem shumë korrekt. Nuk kam shumë informacion e nuk mund të komentoj një gjë të tillë. Nuk dua të flas para kohe por në kohën e duhur dhe në momentin e duhur do të mësojmë shumë gjëra.