Është i vështirë të deshifrohet vendimi i sotëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda për Saimir Tahirin. Ish- ministri i brendshëm nga sot do të detyrohet të qëndrojë “arrest shtëpie”, një masë kufizimi lirie që është vetëm një shkallë ekstremit: arrest me burg.
Kërkesa e prokurorisë ishte për “arrest me burg” por pas rreth 8 orëve “meditim”, gjykata ka vendosur arrest shtëpie për ish- antarin e kabinetit qeveritar “Rama 1”. Vendimi erdhi pasi Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit dhe pasi që KQZ e zëvendësoi me Spartak Brahon.
Duhet pritur se çfarë do të ndodhë në vijim, nëse Tahiri dhe avokatët t tij do të pajtohen me këtë masë shtërnguese apo do ta ankimojë organi i akuzës vendimin e zbutur të gjykatës. Por njëfarësoj arsyetimi, natyrisht jo shterrues, mund të bëhet lidhur me këtë vendim të fundit të gjykatës.
Ideja e parë që të vjen në mend, është parimi “del një skandal për të mbuluar paraardhësin” e kështu pambarimisht në politikën tonë. Sapo shpërtheu skandali “Xhafa”, u rikthye në skenë ai “Tahiri”, siç ndodhi edhe me daljen në skenë pas kthimit të Ramës nga Gjermania për çështjen e statusit të vendit kandidat, ku Merkel “dogji” shpresat për qershorin…
Sipas meje, ka edhe dy arsyetime të thjeshta, deri diku logjike. Edi Rama dhe Saimir Tahiri po vazhdojnë lojën, duke qënë të fortë me në krye të organit të akuzës së një prokuroreje të përgjithshme të përkohëshme të zgjedhur vetëm me votat e PS-së. Por arrestimi në emër të vijimit të “lojës”, mund të jetë edhe nje mesazh për Fatmir Xhafën, një tjetër ministër të brendshëm të zhytur tashmë ne telashe. “Kur nuk kursej Tahirin, me ty e kam më të lehtë prandaj….”. Vazhdimi është i vështirë të hamendësohet, por mundësia me e madhe e vazhdimit të fjalisë, edhe me presionin e pritshëm ndërkombëtar është “hap krahun Xhafa”.
Edi Rama është në një pikë të karrierës së tij ku, pas arritjes së kurbës maksimale me 25 qershor me marrjen i vetëm të “timonit”, natyrshëm nis zbritja. Është zbritje e pashmangshme dhe që maksimumi mund ta mbajë kryeministër deri në shtator 2021. Kjo për të treguar se nuk e ka problem të sakrifikojë këdo në përpjekje për zgjatje të afatit përtej 2021-it apo edhe për të piketuar ndonjë pozicion në Europë në stilin e Majlinda Bregut. Emri i kurbanit, Fatmir Xhafa apo Saimir Tahiri, tashmë nuk kanë shumë rëndësi.
Kryeministrit dhe kësaj mazhorance, ka nisur t’i rrëshqasë toka nën këmbë. Aspak për meritë të opozitës, por nga “zullumet” e vetë antarëve të qeverisë ndër vite. Në 2021 apo më herët, rrëzimi i kësaj mazhorance do të shënojë vertetë një start të ri në politikën tonë. Lulzim Basha dhe Erion Veliaj do të jenë pinjollët e rinj të politikës shqiptare dhe formimi i tyre apo thjesht mosha, do të startojnë një “erë” të re në politikën tonë. /Nga Blerti DELIJA për ©ShkodraWeb/