Nëse merrni një mesazh i cili ju premton ngjyra të reja për WhatsApp atëherë injorojeni atë, është virus. Sipas i100, hakerët janë duke dërguar mesazhe të cilat duken sikur janë nga WhatsApp.com, por në fakt janë nga шһатѕарр.com (hakerët po përdorin shkronja të sllavishtes së vjetër, cirilik), duke iu premtuar përdoruesve veçori të reja.
Mesazhi thotë se tani disa ngjyra të reja janë në dispozicion për WhatsApp dhe se mund ta ndryshoni aplikacionin dhe ta bëni me ngjyrën tuaj të preferuar – së bashku me lajmet se një përditësim i ri është në dispozicion për iOS, Windows, Apple dhe Blackberry, transmeton Gazeta Express. Duket se hakerët nuk e dinë se iOS dhe Apple janë e njëjta gjë. Faqja më pas iu kërkon që ta shpërndani atë me 12 miq për verifikim. Për fat të keq, kjo nuk sjell ngjyra të reja për ju dhe miqtë tuaj, por vetëm se ju dërgon virus. Google ka raportuar gjithashtu rreth këtij virusi dhe ka paralajmëruar të tjerët që të mos bien pre e tij.