Ilir Demalia është njohur ditët e fundit me dosjen e tij hetimore nga Sigurimi i Shtetit. Në një dosje voluminoze, ai ka mësuar informacionet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e kanë penalizuar atë për deklarata kundër udhëheqësve të shtetit komunist, por dhe për takime me turistë të huaj apo shfaqje të huaja. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ilir Demaliatregon episodin me tre punonjës të Sigurimit të Shtetit në vitin 1988, të cilët e morën peng në një dhomë të hotel “Arbërisë” në Tiranë, ku përmes shantazheve kërkuan që ta bëjnë atë nga njeri me dosje hetimore, në bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
Si u bëtë ju objekt i Sigurimit të Shtetit?
Në fakt, unë nuk e kam ditur që kam pasur dosje 2A të Sigurimit të Shtetit, që do të thotë dosje që përpunohet për arrestimin e një personi. Kur mora dosjen e babait para 6 muajsh, aty pashë që babë e bir jemi në dosjen 2A që nga viti 1984. Materiali i parë imi, ku unë flas për vdekjen e Enver Hoxhës dhe përmbysjen e regjimit komunist, që ishte një gjë shumë e rëndë për kohën, të cilën e kam thënë në shoqërinë e dy vajzave të gjimnazit “Partizani”, ka shërbyer për hapjen e dosjes sime.
Unë këtyre vajzave u kam dhënë dy libra, një për seksin të një psikoanalisteje ruse dhe librin “Kthimi nga SHBA-ja” të Ilya Erenburg, të dy libra të ndaluar. Për librat e ndaluar dhe deklaratat e mia për vdekjen e Enver Hoxhës kanë shërbyer për Sigurimin e Shtetit që të krijojnë dosjen time.
Çfarë ndodhi më pas me ju?
Në prill të vitit 1984, babai im merr pafajësinë dhe i kthehen të gjitha të drejtat si komunist, si detyrë sepse edhe ai ishte i dënuar dhe me dosje, në tetor një tjetër person që arrestohet, jep një deklaratë kundër tim eti si agjent, si person që punon kundër partisë dhe shtetit etj., etj. Kështu që, në tetor-dhjetor babai dhe unë përfshihemi përsëri në dosje dhe në ndjekje nga Sigurimi i Shtetit me dosjet 2A.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, unë isha i vetëdijshëm se mund të isha pak problematik, meqenëse flisja hapur, i jepja gojës, siç thotë populli, madje shumë, takoja të huaj dhe kam folur me ta, siç ekzaktësisht pasqyrohet në dosjen time hetimore.
Kur tentoi Sigurimi i Shtetit që të të kontaktonte?
Unë tani u njoha me dosjen time, por pasi kam pasur një dosje me mjaft material për Sigurimin e Shtetit, në shkurt të vitit 1988, siç del dhe në dosje, ka qenë një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në autobus me mua. Unë bashkë me disa shokë kthehesha nga xhirimet e filmit të Muharrem Fejzos “Muri i gjallë”. Unë ndaloj tek ish-Radio Tirana e vjetër, rrugës takoj mikun tim Gavrosh Levonja dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit ishin në një fuoristradë “Aro”, Pelivan Luçi, nënkryetari i Drejtorisë së Brendshme të Tiranës; Miti Dhima, operativi i lagjes sime; dhe Pal Stefani, një tjetër operativ nga lagja tjetër.
Unë po kthehesha i vetëm për në shtëpi, ata më dolën përballë, ata njiheshin nga veshja që ishin njerëz të Sigurimit dhe të Degës së Punëve të Brendshme. Personalisht nuk njihja asnjërin prej tyre. M’u drejtuan duke më thënë, që jemi Sigurimi i Shtetit, do të vish me ne. Në moment sa nuk më ra të fikët, u trondita shumë. Ishte hera e parë që ballafaqohesha më të tmerrshmin Sigurim të Shtetit. Unë i kërkova të shkoja deri në shtëpi, të vendosja çantën aty, por ndërkohë që doja të lajmëroja tim atë që po më merrnin njerëzit e Sigurimit, se ai me njohjet që kishte të mund të bënte ndonjë lëvizje. Babai kishte punuar në ato institucione dhe dinte të paktën se si punohej dhe çfarë duhet të bënte.
Ata e kishin paramenduar që unë të shtunën nuk do të shkoja në punë, as të dielën, dhe në punë duhet të kthehesha të hënën. Gjatë kësaj kohe, ata do të mbaronin çfarë kishin programuar dhe unë do të kthehesha në jetë normale, pa rënë në sy dhe pa u marrë vesh.
E pranuan kërkesën tënde për të vajtur në shtëpi?
Jo, më kapën nga krahu dhe më futën në makinë. Mua m’u prenë këmbët, nuk bëra asnjë lloj reagimi, hija e Sigurimit të Shtetit ishte e tmerrshme. Sot mund të duket si lojë kompjuteri Sigurimi i Shtetit, por ka qenë një organ misterioz ku janë zhdukur njerëz pa nam e nishan. Më hipin në “Aro”, e cila bën një xhiro nga bulevardi, shkon deri te Stacioni i Trenit dhe mori rrugën për nga burgu i vjetër. Më vonë e kuptova që ajo ishte një luftë psikologjike që më bënin mua në mënyrë që të mos kisha asnjë lloj rezistence ndaj tyre. Ishin strategë të sprovuar për këto metoda.
Im atë m’i shpjegoi më vonë, sepse kishte bërë shkollën e Antizbulimit në Bashkimin Sovjetik. Unë pata një tension të madh dhe filloi të më dridhej gjuri. Miti Dhima më tha: “Pse po dridhesh, apo e di ç’ke bërë?!” Unë nuk dija çfarë përgjigjeje t’i jepja, u ngatërrova me fjalët e mia. Duke parë këtë gjendje timen, që isha i shkatërruar, makina u kthye nga Rruga e Burgut dhe mori për nga hotel “Arbëria”.
Ku qëndruat te hotel “Arbëria?”
Në hotel më futën në mes tyre, më thanë mos bëj asnjë lëvizje dhe shenjë dhe më çuan te dhoma 405. Aty kam qëndruar dy ditë e dy net, duke më marrë në pyetje. Një luftë e tmerrshme psikologjike.
Ishin të njëjtët persona që të morën në pyetje?
Po, po, ishin po ata. Ishte dhe një Kol Hasa, i Drejtorisë së Brendshme të Tiranës për çështjet politike.
Për çfarë të akuzonin?
Kështu nisi. Ilir Demaliaj, e di se për çfarë të kemi thirrur? I thashë, jo. Më thanë se je në pozita armiqësore me partinë dhe shtetin. Sa dëgjova këto fjalë, u zbardha dhe të them të drejtën më shpëtoi ujët e hollë. Pozita armiqësore me partinë dhe me shtetin do të thoshte që kishe marrë fund. Ula kokën, mundohesha të mbaja veten, por nisa të dridhem. Kjo gjendje zgjati rreth 10-15 sekonda. Menjëherë më erdhën në mendje këshillat e babait tim. Ai ka qenë profesionist i fushës, dinte si funksiononte sistemi i pyetjeve dhe dobësimit të kundërshtarit, ishte diplomuar për zbulim -kundërzbulim.
Im atë më kishte këshilluar se nëse të thërrasin, mundohu të mos pranosh asgjë, sepse nëse pranon të bësh autokritikë, autokritika është pranim i fajit dhe i akuzave që të kanë vënë. Ata më thanë që ke folur keq për Partinë dhe shokun Enver: “ke thënë që mos u mërzisni se edhe këtu tek ne do të ndryshojë sistemi. Nëqoftëse udhëheqësi kryesor do të vdesë, këtu sistemi do të ndryshojë. Në nëntor, meqë pushteti bën 40 vjet do të ndodhë përmbysje, sepse kështu ka ndodhur, njëherë në 40 vjet ndodh përmbysja”!!!. Në lidhje me vetëvrasjen e Mehmet Shehut, ke thënë se “kur morëm vesh se kishte vrarë veten thamë se mirë iu bë se e quanim komunist, ndërsa kur morëm vesh se ai do të sillte tek ne sistemin amerikan, na erdhi keq..!!” Unë e kuptova se nga kishte ardhur informacioni, m’u kujtuan dy gjimnazistet e “Partizanit”.
Më thanë, shiko si po dridhesh, sepse je në faj dhe ia ke bërë të keqen vetes. Unë mblodha veten dhe i thashë: Si të mos dridhem, ndërkohë më iknin dhe lotët, unë të jem në pozita armiqësore me partinë time që më ka rrit, më ka shkolluar, vij nga një familje komuniste, ku babait tim iu dha pafajësia, ka studiuar për këtë parti në Bashkimin Sovjetik, ç’punë kam unë me veprimtarinë armiqësore?! Unë punoj në Kinostudion “Shqipëria Sot”. E të tjera fjalë si këto, më duhej të mbrohesha dhe të mos pranoja asgjë, se pastaj do ta kisha keq punën.
Pelivan Luçi vazhdonte dhe më thotë: “Lëri këto Ilir Demaliaj, se kemi kaq kohë që të ndjekim dhe ti je profesor në ilegalitet”. Unë i thashë: Unë profesor në ilegalitet?! Unë tani po bëj shkollën, çfarë profesori. Shkollën harroje, më tha, ti do shkosh në burg. Mirëpo momenti i parë është shokues, goditesh në befasi dhe do kohë që të marrësh veten. Por ishin ditë të gjata me inskenime, me pyetje, prano këtë prano atë, unë që nuk pranoja asgjë.
Çfarë të ngrinin si akuza?
Më thoshin ti ndjek shfaqje të huaja, ke flokë të gjatë, dëgjon muzikë të huaj, më përmendën dy persona që merreshin me muzikë. Unë i thashë që nuk është e vërtetë, ne thjesht kemi luajtur ato melodi që luan tani Radio Tirana, që ka nisur të transmetojë muzikën e Beatles.
Përdorën dhunë fizike?
Jo, nuk më prekën fare me dorë, ishte vetëm presion psikologjik që unë të dorëzohesha dhe të pranoja çfarë të donin ata. U thashë që nuk e pranoj që të kem unë veprimtari armiqësore, mund të kem ndonjë shfaqje të huaj si i ri dhe i papjekur.
Çfarë të kërkuan konkretisht?
Ata kishin material të bollshëm ndaj meje. Atëherë nuk i kuptoja situatat se çfarë luhej. Por unë sot u thërres situatave. Ata kërkonin që të rekrutonin njerëz, të cilët i përdorën më vonë dhe ka midis tyre dhe gazetarë sot dhe në fund të thonë: “Nga kjo dosje, ti ke dy rrugë, Ilir ti je djalë i zgjuar, je djalë inteligjent, ti ke miqësi me njerëz intelektualë, me njerëz të fushave të ndryshme, ne jemi të shqetësuar nga zhvillimet në botë dhe ti duhet ta ndihmosh partinë”.
Unë i thashë se për partinë jap jetën. Jo më thanë, nuk është nevoja të japësh jetën, por të na ndihmosh me informacione që do të ndihmonin partinë. E thonë dhe në dosje, që Ilir Demaliatë përpunohet, të pranojë të gjithë akuzën dhe t’i jepen në fund dy rrugë, ose me akuzën ose të bashkëpunojë. Unë nuk pranova akuzën, por u thashë se nuk ka nevojë të më kërkoni ju gjë, sepse nëse dëgjoj dikë që flet keq apo vepron keq, unë vij dhe e denoncoj vetë në Degën e Punëve të Brendshme. Por u thashë se mua nuk më beson njeri, sepse babai im është komunist, jemi familje e lidhur me partinë.
Si dole nga ky izolim dyditor?
Në fund ata më thanë që do të shkoja në shtëpi, por mos i thuaj Binakut, babait dhe nuk do flasësh me asnjë për këto biseda që ne bëmë këtu. Më thanë shko mendohu për ato që folëm dhe do takohemi përsëri. Unë u thashë dakord, kështu do bëj. Dola, isha shumë i tronditur. Familja më dinte se isha me xhirime jashtë Tiranës. Sapo hyra në shtëpi kërkova babain, ai ishte në shtëpi dhe më pa që isha i tronditur. I tregova se çfarë më kishte ndodhur. Ule zërin, më tha. Ai e dinte shumë mirë se kur kam qenë në pyetje, ata më kishin vënë përgjues në xhaketë.
Babai më tha fol ngadalë se ndoshta përgjohemi. Por unë tani në dosje shikoj informacionin e zbardhur përmes përgjimit operativ nga poshtë pallatit. Ata e morën vesh që unë lajmërova babain. Babai shkoi takoi Foto Çamin se e njihte dhe i tha se djalin e kam të sëmurë psikik, ka dashur me vra nënën e vet, ka dashur të më vrasë mua, ka thyer gjërat e shtëpisë, ne jemi në gjendje shumë të rëndë si familje, nëse m’i ndodh gjë djalit. Pas kësaj nuk vazhduan më të më ngacmojnë. Por që ndjekja e Sigurimit ka vazhduar, si njeri problematik sipas tyre, por nuk më morën më.
Fakti është se ka vazhduar ndjekja e tim eti deri në vitin 1990 edhe pasi jam larguar unë dhe telefoni i shtëpisë sime është përgjuar deri në prill të 1991. Sigurimi në atë kohë nuk kishte fuqi të godiste, por jo se e kishte mbyllur punën e tij të survejimit dhe të përndjekjes. Këtu duhet parë dhe dhjetori i ’90, lëvizjet demokratike dhe përfshirja e shumë elementëve në to. Edhe pse kishte një lëvizje pa kokë, si turmë, por Sigurimi i Shtetit i kontrollonte se cilët ishin protagonistët. /Nga ARISTIR LUMEZI/